Përballje

Partizani shpallet kampion i Shqipërisë


Skuadra e Partizanit shpallet kampion i këtij edicioni në Kategorinë Superiore, pas katër vitesh pritje.

“Demat” u shpallën kampionë të Shqipërisë për herë të 17-të, duke e mposhtur në ndeshjen e fundit Teutën me rezultat 2:0. Goli i vetëm në pjesën e parë u shënua nga Arinaldo Rrapaj në minutën e 38-të.

Ndërkohë, krejt në fund të ndeshjes, kryeqytetasit shënuan edhe një herë me anë të Tedi Carës.

Me këtë sukses, Partizani e siguron titullin me 67 pikë, aq sa ka edhe Tirana e vendit të dytë, që mbetet nënkampion dhe do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës në edicionin e ardhshëm.

Ekipi i Partizanit pasi e shënoi golin e parë ndaj Teutës.

Duke u bazuar te rregullorja e klasifikimit dhe pikërisht te kriteri i parë i saj, ku merren parasysh ndeshjet direkte, të kuqtë kanë fituar dy herë (0:1 dhe 2:0), ndërsa Tirana vetëm një herë (0:2). Derbi i fundit mes tyre është mbyllur në barazim. Ky avantazh në ndeshjet direkte i jep titullin Partizanit.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Tirana fitoi me rezultat 1:2 në udhëtim te Erzeni.

Rimal Haxhiu e hapi ndeshjen për Tiranën në minutën e 37-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë vendasit barazuan me anë të Ilirid Ademit.

Ndërsa në minutat shtesë të ndeshjes, Kristal Abazaj shënoi për rezultatin përfundimtar 1:2.

Tifozët e Partizanit futen në fushë pasi fituan titullin.

Pavarësisht se humbi, Erzeni arriti ta sigurojë zonën e barazhit dhe do të përballet me skuadrën e Korabit.

Fitore të rëndësishme në xhiron e fundit arriti edhe Vllaznia, të cilët mposhtën në udhëtim Bylisin me rezultat 1:2.

Falë këtij suksesi, skuadra shkodrane do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferencës nga vendi i katërt, derisa vendi i tretë ishte siguruar më herët nga Egnatia që u mposhtën minimalisht në shtëpi nga Kukësi.

Tabela momentale.

Ndërsa, me humbjen ndaj Vllaznisë, Bylis bie nga elita e futbollit shqiptar, së bashku me Kastriotin që u mposhtën me rezultat 3:0 nga Laçi.

Pra, Partizani shpallet kampion i këtij edicioni në Shqipëri dhe do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Tirana, Egnatia dhe Vllaznia luajnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Ndërsa, Skënderbeu dhe Dinamo e Tiranës janë ngjitur në Kategorinë Superiore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore