Lajme

Parlamenti slloven konfirmon Robert Golob-in si kryeministër


Këtë të mërkure të 25 majit, me shumicë votash Robert Golob është votuar nga deputetët e Parlamentit të Sllovenisë për kryeministër të ri.

Për Golob votuan 54 deputetë, kundër 30-të, ndërsa një votë ishte e pavlefshme, raporton Hina.

Përpara votimit, Golob tha se bazuar në besimin e madh që i dhanë në zgjedhjet e 24 prillit, donte t’u jepte sllovenëve “shpresë për një të ardhme më të mirë” dhe t’u kthente atyre “gëzimin në jetë”.

Duke aluduar për qeverinë në largim të krahut të djathtë të udhëhequr nga Janez Jansha për dy vitet e fundit, presidenti i partisë Lëvizja e Lirisë theksoi se qytetarët kishin treguar në zgjedhje se donin të jetonin në një “gjendje normale” dhe jo në “pasiguri të vazhdueshme”.

Gjithashtu, sipas raportimeve të mediave, Golob ka deklaruar më parë se qeverisë së re do t’i duhen dy mandate në krye të vendit për të zbatuar ndryshimet e nevojshme strukturore dhe synimi i saj është të mbledhë rrymat dhe partitë liberale në një strukturë të fuqishme politike, në vijim.

Ai deklaroi se prioritet i qeverisë së tij është shëndetësia, e cila duhet të jetë publike dhe e suksesshme për të gjithë, pavarësisht statusit social dhe rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

Lëvizja për Lirinë e Golob-it fitoi zgjedhjet me 35 për qind të votave dhe ai do të formojë një qeveri koalicioni me partnerët e majtë, Social Demokratët dhe Partinë e Majtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore