Parqet kombëtare janë pjesë e zonave të mbrojtura dhe përfaqësojnë zona të veçanta që shërbejnë për ruajtjen sa më të mirë të biodiversitetit. I tillë është edhe Parku Kombëtar i Tomorit, i cili është një nga 15 parqet që ka Shqipëria.
U shpall park kombëtar në vitin 1996 dhe më pas në vite të ndryshme, përkatësisht në 2012 dhe 2019 ka marrë zgjerim të vazhdueshëm, deri sa ka arritur sipërfaqen aktuale prej 26,106.2 ha. Lartësia mbizotëruese e parkut është 800-1000m mbi nivelin e detit.
Ai gjendet në Rajonin Jugor të Shqipërisë dhe shtrihet në Bashkitë Berat, Poliçan, Skrapar dhe Gramsh.
Që herët, kjo zonë, sidomos mali i Tomorit është përmendur nga shkrimtarët e lashtësisë si Straboni, por me emërtime të ndryshme si; Talar, Tamarus, apo dhe Tomerum.
E veçanta e këtij mali, që më shumë njihet si vend i shenjtë nga besimtarët bektashi, nuk është vetëm pjesa fetare e tij, por edhe natyra, gjeologjia, klima, relievi etj.
Biodiversiteti është i pasur, me një shumëllojshmëri të bimëve dhe kafshëve. Zona ka mbi 950 specie të ndryshme bimore, nga të cilat gjashtë janë bimë endemike dhe 11 subendemike, si dhe mbi 200 lloje bimësh me vlera ekonomike dhe mjekësore.
Përfaqësuesit kryesorë të bimësisë janë shkurret mesdhetare, pisha, ahu, lisi, rigoni, çaji i malit, sherebela etj. Zona ka edhe një jetë të egër mjaft të larmishme, që përfaqësohet nga ariu i murrmë, ujku, kaprolli, sorkallja, derri dhe dhia e egër, shqiponja e shumë gjallesa të tjera.
Në brendësi të këtij parku, turisti gjenë edhe gjeomonumente, hidromonumente, biomonumente dhe monumente kulture. Pikat turistike më të spikatura janë Ujëvara e Sotirës, Ujëvara e Bogovës, Cirqet dhe Morenat Akullnajore të Tomorit, Shpella e Kapinovës etj.
Zona ofron kushte të mira për vizita të shkurtra ose të gjata në të, në formën e piknikut dhe kampingut.
Turisti në Parkun Kombëtar të Tomorit, mund të kryejë një sërë aktivitetesh turistike si; ecje me biçikletë, ecje e lirë, ecje në mjedise me pyje, ecje me kuaj, vëzhgim dhe fotografim i faunës së egër, ngjitje në shkëmbinjë dhe gjatë stinës së dimrit e në disa vende mund të bëhet edhe ski.
Parku Kombëtar i Tomorit është një nga perlat e natyrës Shqiptare, lehtësisht i arritshëm në rrugë tokësore nga Berati, Poliçani, Çorrovoda dhe Gramshi.
Problematika më e madhe qëndron në infrastrukturën rrugore të brendshme në park, e cila nuk është në nivelin e duhur. Megjithatë, kjo nuk ja zbeh aspak bukurinë mahnitëse të natyrës që ky park ka dhe ofron për turistin./AlbanianPost.com
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
The Guardian: Tur skish në Ballkan mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi – Aty ku më shumë sheh vende, se njerëz
-
Çmimet e çmendura në aeroportet evropiane – Pse nuk ka kufi?
-
Qytetet e humbura të Rrugës së Mëndafshit dalin në dritë në malet e Uzbekistanit
-
“Islands”: Tirana, kryeqyteti më ‘jo konvencional’ i Evropës