Përballje

Paraqitja e Dardanëve në fundjavë me klubet e tyre


Edhe këtë fundjavë që lamë pas, futbollistët e Kombëtares së Kosovës patën paraqitje mjaftë të mira me klubet e tyre evropiane.

Njëri ndër më të mirët pa dyshim ishte Edon Zhegrova, i cili i dha fitoren ekipit të tij, Basel, në ndeshjen e xhiros së 10-të të Superligës së Zvicrës, kundër skuadrës Sion-it.

Zhegrova realizoi një gol tejet të bukur në minutën e fundit të kohës së rregullt, kështu duke i dhuruar tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij, e cila tani radhitet në vendin e parë në tabelë.

Në këtë ndeshje, Edoni u inkuadrua në lojë në minutën e 65-të, për të vulosur takimin në fund.

Jo vetëm gol, por edhe asistim realizoi futbollisti tjetër i përfaqësueses së Kosovës, Herolind Shala.

Shala nuk ishte titullar në ndeshjen që ekipi i tij Erzurum BB e fitoi ndaj Altinordu me rezultat 6:2, në kuadër të javës së nëntë të Ligës së Parë Turke, por ai u inkuadrua në lojë në minutën e 67-të.

Vetëm nëntë minuta iu deshën Herolindit që të shënojë golin e katërt për Erzurum dhe të asistojë në golin e pestë të fitores me goleadë të ekipit të tij.

Paraqitje mbresëlënëse pati edhe qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, i cili luajti për 90 minuta në ndeshjen që ekipi i tij Napoli e fitoi ndaj Torino-s me shifrat 1:0, në kuadër të javës së tetë të Serie A.

Rrahmani po konfirmon dita ditës që është një futbollist tejet i rëndësishëm në sukseset që Napoli po korr në Itali, ku në tetë javët e para, kanë realizuar po aq fitore, duke kryesuar tabelën në elitën e futbollit italian.

Fitore shumë të rëndësishme arriti edhe skuadra zvicerane, Zurich, ku sikurse në çdo ndeshje, edhe në këtë luajtën për 90 minuta dyshja e mbrojtjes, Fidan Aliti e Mirlind Kryeziu.

Dyshja kosovare tani më janë një çift i pazëvendësueshëm në mbrojtjen e ekipit zviceran, ku përbëjnë një mbrojtje që vështirë mund të thyhet.

Vlen të ceket se me këto tri pikë, klubi i Zurich-ut renditet në vendin e dytë në tabelë me 20 pikë, vetëm dy më pak se lideri, Basel.

Paraqitje pozitive pati edhe Elbasan Rashani, i cili ndihmoi ekipin e tij Clermoont të fitojë me rezultat 1:0 ndaj kampionëve në fuqi të Francës, Lille.

Rashani luajti për 71 minuta në këtë takim dhe pavarësisht se nuk arriti të shënojë, pati një paraqitje shumë të mirë.

Fitore arriti edhe ekipi i Astrit Selmanit, Hammarby, që mposhtën një prej kandidatëve kryesor për titull në Ligën e Suedisë, AIK, ku sulmuesi kosovar u inkuadrua në lojë në minutën e 65-të.

Fitore arriti edhe Florian Loshaj me ekipin e tij polak, Cracovia, që mposhtën skuadrën e Warta Poznan, ku mesfushori kosovar luajti për 22 minuta.

Florent Hadërgjonaj luajti për 90 minuta, por nuk arriti të ndihmojë ekipin e tij Kasimpasa, të cilët u mposhtën nga Goztepe në ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës së Turqisë.

Në ligën turke, humbjes nuk mundi t’iu shmangej as Zymer Bytyqi, ku ekipi i tij Konyaspor u mposht në udhëtim te Galatasaray, me shifrat 1:0. Në këtë ndeshje Bytyqi luajti për 73 minuta.

Milot Rashica luajti vetëm 15 minuta, në ndeshjen që ekipi i tij Norwich City barazoi pa gola ndaj Brighton, në Premier Ligën angleze.

Betim Fazliji luajti gjithë pjesën e dytë, në takimin që ekipi i tij St. Gallen e fitoi përballë skuadrës Servette, në xhiron e 10-të të Superligës së Zvicrës.

Lirim Kastrati pati në dispozicion 71 minuta, por nuk arriti ta ndihmojë ekipin e tij Legia që t’iu shmangej humbjes ndaj Lech Poznan.

Kurse mbrojtësi Lirim Kastrati pati paraqitje shumë të mirë në barazimin pa gola, që skuadra e tij Ujpest e mori në udhëtim te lideri aktual i ligës hungareze, Kisvarda.

Besar Halimi luajti për 63 minuta në ndeshjen që ekipi i tij Riga barazoi 1:1 me Metta/LU në futbollin letonez.

Kurse, Bersant Celina luajti vetëm 15 minuta në ndeshjen që skuadra e tij Ipswich barazoi me rezultat 2:2 përballë Cambridge, në Ligën e Parë të futbollit anglez.

Ndërsa, Vedat Muriqi, Ibrahim Dresheviq, Arijanet Muriq, Mërgim Vojvoda, Toni Domgjoni, Mirlind Daku, Samir Ujkani dhe Florent Muslija ishin në bankën rezervë me ekipet e tyre, gjatë fundjavës që lamë pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore