A ka gjini inteligjenca artificiale?
“Inteligjenca artificiale nuk ka gjini, është një konstruksion digjital i krijuara për të kryer detyra specifike ose për të ofruar ndihmë në aktivitete të ndryshme, por nuk ka karakteristika biologjike apo gjinore si qeniet njerëzore”.
Kështu është përgjigjur chatbot-i i famshëm ChatGPT.
E gjithë kjo duket e drejtë sepse një AI, për ta thënë thjesht, është një sistem që përpunon të dhënat përmes rregullave të quajtura algoritme.
Në fund të fundit, bëhet fjalë për numrat dhe matematikën, domethënë gjëja më aseksuale që mund të ketë.
Megjithatë…
Nëse gjithçka është kaq neutrale, atëherë pse shumë studime tregojnë se shumica e asistentëve digjitalë kanë karakteristika femërore, duke filluar nga zëri apo emri?
A ka ndonjë kuptim për ju Alexa e Amazon dhe Cortana e Microsoft?
Për të mos harruar Siri-n e Apple që në norvegjisht do të thotë “grua e bukur që të çon drejt fitores” – dhe që vetëm së fundmi ofroi mundësinë e zgjedhjes së një zëri mashkullor përveç atij klasik femëror.
Çështja është se këta asistentë digjitalë u karakterizuan qëllimisht në këtë mënyrë për të frymëzuar besimin në një teknologji që mund të ngjallte dyshime dhe shqetësime.
Megjithatë, ky karakter qetësues u përftua duke iu drejtuar arketipit të sekretares së sjellshme, të ëmbël dhe ndihmuese.
Të gjitha karakteristikat që i atribuohen tradicionalisht grave, me rezultatin e përjetësimit të një stereotipi të rraskapitur gjinor.
E njëjta gjë ndodh me robotët humanoidë që mendohen si partnerë bisedash ose asistentë të dobishëm, të cilët shpesh përshkruhen si gra.
Dy shembuj të famshëm janë Sophia nga Hanson Robotics dhe Erica nga Hiroshi Ishiguro.
Anasjelltas, robotëve të tjerë si Hermes i MIT, i cili mund të thyejë mure dhe të shpëtojë njerëzit e bllokuar, ose Atlas i Boston Dynamics, u janë dhënë karakteristika fizike të dallueshme mashkullore.
Ndaj na mbetet të pyesim veten nëse nëse edhe në botën e robotëve dhe AI jemi përballur me të njëjtat stereotipe gjinore që ekzistojnë mes njerëzve.
“A jeni në dijeni se ka paragjykime gjinore në inteligjencën artificiale?”
ChatGPT i përgjigjet kësaj pyetjeje qartë duke thënë “po, është e vërtetë që inteligjenca artificiale mund të pasqyrojë paragjykimet e pranishme në të dhënat e përdorura për trajnimin e tyre”.
“Kjo mund të çojë në rezultate të njëanshme ose diskriminuese, duke ndikuar në vendimet ose rekomandimet që ato ofrojnë. Përpjekjet për të reduktuar këto paragjykime janë në vazhdim, me qëllimin e zhvillimit të algoritmeve më të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, vijon chatbot-i.
Nëse vërtet është kështu, cili mund të jetë shkaku?
A mund të jetë sepse AI-të krijohen kryesisht nga burrat?
Hendeku gjinor
Nëse shikojmë Evropën, në vitin 2019, raporti i Institutit Evropian për Barazinë Gjinore theksoi se gratë mbanin vetëm 16 për qind të vendeve të punës në AI dhe se vetëm 12 për qind e profesionistëve me mbi 10 vjet përvojë ishin femra.
Në vitin 2020, Forumi Ekonomik Botëror zbuloi se 26 për qind e vendeve të punës mbaheshin nga gratë në sektorin e të dhënave dhe AI-së.
Raporti i vitit 2021 nga Instituti Stanford për Inteligjencën Artificiale të Përqendruar te Njeriu jep një tjetër të dhënë interesante për mësuesit në sektorin e AI-së.
Raporti ka vënë në dukje se gratë, në nivel global, mbanin vetëm 16 për qind të pozicioneve si mësues në pritje të konfirmimit në një periudhë të pacaktuar.
Raporti i Institutit Deloitte AI 2021 “Gratë në AI” për Amerikën e Veriut tregon se në vitin 2019, gratë përfaqësonin vetëm 22 për qind të të gjitha programeve të doktoraturës në AI dhe shkenca kompjuterike, një rritje prej vetëm 4 për qind krahasuar me vitin 2010.
Çështja u trajtua edhe nga UNESCO në raportin e vitit 2020 “Inteligjenca artificiale dhe barazia gjinore”, ku thuhet se “algoritmet dhe sistemet e inteligjencës artificiale kanë fuqinë të përhapin dhe përforcojnë stereotipet dhe paragjykimet gjinore, të cilat rrezikojnë të margjinalizojnë gratë në shkallë globale”.
“Duke marrë parasysh praninë në rritje të AI në shoqëritë tona, kjo mund t’i lërë gratë pas në sferën ekonomike, politike dhe sociale”, vijon raporti.
Nga e gjithë kjo arrijmë në përfundimin se në sektorin e AI ka një problem konkret dhe të vazhdueshëm gjinor që manifestohet në të paktën dy mënyra: me përjetësimin e stereotipeve ndaj grave në produktet e AI dhe me penalizimin dhe diskriminimin që ato vuajnë në fushën e punës dhe kërkimit në sektor.
Inteligjenca artificiale duket se po pasqyron shoqërinë tonë dhe për sa kohë që kjo është e papërsosur, kështu do të jetë edhe AI.
Por si mund të ndryshohen gjërat?
Sipas UNESCO-s, me një aksion që promovon barazinë gjinore përmes edukimit, kulturës dhe informacionit.
Në veçanti, aksesi në lëndët STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) mund të jetë vendimtar, sepse parashikimet tregojnë se në të ardhmen gjithnjë e më shumë vende pune do të jenë rezultat i këtyre disiplinave ose do t’i përdorin ato.
Por ky është vetëm një aspekt i problemit.
Një tjetër gjë që duhet adresuar është mungesa e shembujve të lidershipit femëror në sektorin e AI.
Ky element shfaqet me forcë në raportin e Deloitte 2021 “Gratë në AI”, ku disa gra të suksesshme në botën e AI flasin për përvojën e tyre, duke demonstruar se shembujt janë aty dhe se thjesht duhet të kesh dëshirën për t’i kërkuar.
Dhe kjo është detyra e informacionit, e cila do të duhet të luajë një rol themelor në ndryshimin e nevojshëm të paradigmës kulturore.Le të marrim disa emra, duke filluar me Allie K. Miller, një sipërmarrëse dhe konsulente e nivelit të lartë, e cila, pasi u diplomua me nderime në shkencat njohëse, punoi si kreu global i Amazon për zhvillimin e biznesit të mësimit të makinerive, startup-eve dhe kapitalit sipërmarrës.
Po ashtu punoi edhe si menaxhere kryesore e produkteve për IBM Watson, ku ajo drejtoi një ekip prej 30 inxhinierësh dhe ishte gruaja më e re që ndërtoi një produkt të inteligjencës artificiale.
Në vitin 2019 u emërua “Inovatori i vitit i AI”.
Më pas është Daniela Amodei, një italiano-amerikane nga San Francisko, e cila pasi u largua nga OpenAI, në fillim të vitit 2021 me vëllain e saj Dario themeloi Anthropic, startup-in më premtues sipas Google, i cili ka investuar pothuajse 300 milionë dollarë për të krijuar një chatbot inteligjent me të cilin do të sfidonte tregun e AI.
Si mund të mos përmendim Mira Muratin, inxhinieren shqiptare që filloi karrierën e saj si analiste në Goldman Sachs, kaloi në Zodiac Aerospace dhe Tesla Motors.
S’ka kaluar shumë kohë që kur Mira Murati u bë pjesë e listës së “Grave të Vitit” – atyre më me ndikim në botë – në numrin e përvitshëm të prestigjiozes “Financial Times”.
Shefja e teknologjisë e kompanisë OpenAI është në krye të transformimit të thellë digjital.
Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si punohet, mësohet dhe shprehet.
Mira Murati, një nga 25 gratë më me ndikim në botë për vitin 2023
Dhe Shivon Zilis, kanadezja e diplomuar në Yale për ekonomi dhe filozofi, aktualisht drejtore e operacioneve dhe projekteve speciale në Neuralink të Elon Musk.
Zilis ka mbajtur gjithashtu role kyçe në ekipet kryesore të OpenAI, Bloomberg Beta dhe ka punuar në Tesla si drejtore projekti.
Ajo ishte anëtarja më e re e bordit të OpenAI dhe Neuralink.
Optimizëm cinik
Lista mund të vazhdojë, por ndoshta është më mirë të lihet vend për një konsideratë përfundimtare që hap dyert për optimizëm.
Studime dhe tregues të ndryshëm, tregojnë se diversiteti gjinor, veçanërisht midis pozicioneve drejtuese, rrit produktivitetin, përfitimin dhe vlerën e tregut të organizatave në sektorin e AI.
Është e mundshme që nëse presionet kulturore dhe sociale për të rritur përfshirjen e grave në AI nuk do të kenë sukses, presionet tregtare dhe ekonomike do të kenë sukses.
Sepse biznesi është i pari.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.
El Pais: Mira Murati, një nga gratë më me ndikim në botë në vitin 2023
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com