Pastat pappardelle janë fantastike kur shijohen me fileto salmoni dhe brokoli. Një vakt i pasur në vlera ushqyese, si proteina dhe vitaminë K. Perfekte për t’u përgatitur në festën e Shën Valentinit por dhe në çdo festë tjetër.
Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.
Përbërësit: 500 gr pasta pappardelle, vaj ulliri, kripë, piper, 1/2 spec i kuq, 50 gr brokoli, 1 tufë majdanoz, 1 qepë e njomë, 2 thelpinj hudhre, 100 gr parmigiano, 200 gr fileto salmoni të pastruar, 1 kungull jeshil, 1/2 tufë borzilok, 100 gr domate, 1 lëkurë limoni.
Përgatitja:
Pasi kemi larë mirë të gjitha perimet dhe erëzat, fillojmë me përgatitjen e salcës. Presim në fillim domatet në formë kubesh, kungullin në rripa për së gjati dhe specin e kuq e presim hollë për së gjati. Presim majdanozin, brokolin dhe qepën e njomë.
Më pas në një tenxhere vendosim pastën të ziejë, ndërsa në një tenxhere të dytë përgatisim salcën.
Në tenxheren e salcës vendosim qepën, hudhrat, vajin e ullirit, brokolin, kungullin dhe specin e kuq. I skuqim për 2 minuta, më pas shtojmë domaten dhe borzilokun.
Vazhdojmë skuqjen edhe për 3 minuta të tjera.
Pasi salca të jetë lidhur, shtojmë salmonin e prerë në kube, majdanozin, kripën, piperin, lëkurën e limonit, djathin Parmigiano, pastën e zier dhe pak vaj ulliri.
I përziejmë mirë dhe pasta është gati për t’u servirur e shijuar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com