Shqipëria

Pamjet i japin të drejtë Policisë, individë të MEK-ut u përpoqën të asgjësonin dokumente


Pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit gjatë kontrollit në vendqëndrimin e anëtarëve të organizatës “MEK” vërtetuan disa fakte hetimore që u konstatuan edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

“Gjatë veprimeve hetimore janë konstatuar veprime të individëve për të asgjësuar dhe për të larguar ato çka u interesonte. Ato janë dokumente të gjuhës së tyre, të cilat po i nënshtrohen një ekzaminimi dhe një ekspertize të detajuar nga prokurorët e posaçëm dhe grupi hetimor”, deklaroi kryepolici gjatë konferencës për shtyp.

Pikërisht, videoja e publikuar nga autoritetet fikson në një moment një individ i cili ka në dorë një qese të zezë.

Pasi bën një copë rrugë, ai ndez skarën për t’u vënë flakën atyre që duken në pamje të parë si dokumente.

Jo vetëm kjo, por gjatë gjithë videos vihet re një bllokim i veprimeve të Policisë, nga ana e muxhahedinëve duke u zënë pritë autoriteteve.

“Forcat e Policisë së Shtetit u përballën me rezistencën e banorëve të kampit MEK, rezistencë e pajustifikuar dhe jo proporcionale, në shkelje të rendit ligjor e kushtetues, të cilët tentuan të pengonin me forcë sekuestrimin e serverave e kompjuterave, objekt i vendimit të Gjykatës”, thekson njoftimi i autoriteteve.

Për këtë zhvillim, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

Zyrtari i lartë i Policisë deklaroi se gjatë operacionit në kampin e MEK-ut në Manëz, autoritetet kanë sekuestruar 96 njësi kompjuterike.

Këto të fundit, sipas drejtuesit të Policisë, po tentoheshin të digjeshin nga ana e drejtuesve të organizatës së muxhahedinëve.

“Janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 46 laptop, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK-ut. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK-ut më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Vendimi i GJKKO-s vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”, theksoi Rrumbullaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore