Veç pak vjet më parë, udhëtimi hekurudhor për distanca të largëta, dukej sikur mund të ishte në largim, por shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Stili klasik i udhëtimit tanimë po rilind, pasi udhëtarët kërkojnë mënyra më miqësore me mjedisin për të parë botën.
Aktualisht, trena dhe itinerare të ndryshme të reja janë në proces, duke përfshirë trenin “Dolce Vita” të Italisë, të vendosur për të drejtuar 10 rrugë përmes peizazheve më të njohura të vendit dhe “Trenat e Mesnatës”, një rrjet i ardhshëm i shërbimeve brenda natës nga Parisi në 12 destinacione të ndryshme evropiane.
Sidoqoftë, projektuesi francez Thierry Gaugain planifikon ta çojë përvojën e udhëtimit hekurudhor në një nivel krejtësisht të ri me konceptin e tij të fundit, një tren luksoz privat i bërë për një pronar me fat dhe shumë të pasur.
Gaugain, i cili ka punuar me projektuesin e njohur Philippe Starck nëpër projekte të panumërta, është i njohur për modelet e tij mbresëlënëse të jahteve, duke përfshirë anijen 80 metra të bashkëthemeluesit të Apple-it, Steve Jobs Venus.
Mirëpo, përpjekja e radhës për të konceptuar një tren është e para në llojin e vet.
I përshkruar si një “pallat luksoz në shina”, treni 400 metra i gjatë do të përbëhet nga 14 makina dhe qelqi aq i përparuar teknologjikisht sa që mund të kalojë nga transparenca e paqartë në transparencën e plotë.
‘Pallati në shina’
“Ky tren është parashikuar për një pronar unik”, ka thënë Gaugain për CNN Travel. “Nuk është një tren publik apo tren pasagjerësh”.
“Pronari që ne parashikojmë është dikush që është i vetëdijshëm për veçantinë e këtij treni dhe e kupton që ne nuk po flasim vetëm për transportin. Ka të bëjë me udhëtimet, jo sa shpejt shkon nga pika A në pikën B”, ka shpjeguar ai.
Gaugain mendon se udhëtimi aktual është përqendruar më shumë në shpejtësi dhe ai e sheh “Trenin G” si një mënyrë transporti ku ata që janë në bord mund të argëtohen po aq, në mos më shumë, gjatë rrugës për në destinacionin e tyre të zgjedhur.
“Udhëtimi nuk ka të bëjë me shpejtësinë. Ka të bëjë me kohën, sepse koha është thesari i vetëm që kemi”, është shprehur projektuesi.
Dhe nuk është vetëm pjesa e jashtme e trenit që tërheq, udhëtarët gjithashtu mund të ndryshojnë “ambientin e brendshëm të trenit në cilindo seksion që të jenë”.
CNN tregon se nëse udhëtarët dëshirojnë të sigurojnë mjedisin e jashtëm, ata mund të kalojnë në një mënyrë transparente, por nëse duan të krijojnë pamjet e tyre, mund ta ndryshojnë xhamin në të errësuar dhe të krijojnë pothuajse çdo pamje që dëshirojnë.
“Treni është një skenë”, shpjegon Gaugain. “Ju mund të ndryshoni dritën, sezonin ose ritmin në mënyrë që të ndryshoni marrëdhënien tuaj me kohën”.
Teksa një tren luksoz mund të mos duket si tranzicioni më i dukshëm nga modelet e jahteve motorike, Gaugain beson se ideja në mendje i erdhi për herë të parë kur ishte fëmijë, duke shpjeguar se trenat gjithmonë e kanë magjepsur atë.
“Ka diçka fantastike te trenat”, shprehet ai. “Ka shumë ide romantike të lidhura me ta”.
Koha për të ngadalësuar
Por Gaugain kishte një person të veçantë në mendje kur ai parashikoi “Trenin G”, miliarderen Laurene Powell Jobs, e veja e Steve Jobs.
“Kur ideja më erdhi në kokë, po mendoja për të si një përdoruese të mundshme”, pranon ai.
Ai ende nuk ka gjetur një klient dhe pranon se mund të ketë nevojë të gjejë “dikë aq të çmendur” sa vetë për të blerë trenin. Me gjasë do të kushtojë afro 350 milionë dollarë dhe ndërtimi i projektit do të marrë të paktën dy vjet e gjysmë.
“Ndoshta personi që blen trenin do të fillojë një kapitull të ri të jetës së tij”, ka thënë ai. “Sepse ne (udhëtarët) jemi vazhdimisht në nxitim”.
“Na duhet pak kohë që të ngadalësojmë udhëtimet e brendshme për të kuptuar se ku do të dëshironim të shkonim dhe për të kuptuar dëshirat tona”, dallon projektuesi.
Sipas CNN, me një hapësirë për rreth 18 mysafirë, treni është vendosur të lëvizë me 160 kilometra në orë dhe do të përshtatet për të lëvizur në hekurudha nëpër Amerikë dhe Evropë.
Gaugain ka sjellë në bord një numër ekspertësh, të tillë si ndërtuesi zviceran i trenave Stadler, prodhuesi i qelqit Saint-Gobain, firma inxhinierike në Mbretërinë e Bashkuar Eckersley O’Callaghan dhe kompania e sigurisë Marine Guard për të siguruar që dizajni është “i realizueshëm”.
“Një tren i tillë është shumë i komplikuar”, ka ravijëzuar ai, “pasi nuk ka tren që lëviz në të gjitha shinat në të gjithë botën që përputhet me të gjitha sistemet”.
Duke shijuar të tashmen
CNN zbulon se “Treni G” mund të ndahet në dy nëse ata që janë në bord vendosin të shkojnë në drejtime të ndryshme.
Në të, pasagjerët hyjnë përmes sallës së mirëseardhjes në qendër të trenit, e cila çon në zonën e tij kryesore të banimit që përfshin hapësirën e akomodimit dhe argëtimit të pronarit, si dhe një zonë për mysafirë të veçantë, një dhomë sociale, si dhe “Sallonin e Madh” që është krijuar posaçërisht për pritje.
Gjithashtu vizitorët do të kenë qasje në një kopsht “sekret”, teksa krahët e trenit mund të palosen poshtë për të sajuar tarraca me bimësi, ku mund të mbahen ahengje apo koncerte në bord.
Koncepti i trenit vjen teksa vazhdon rilindja e udhëtimeve hekurudhore brenda natës / në distancë të gjatë.
Dhe ky interes i ri për udhëtimet me tren ka qenë i lidhur ngushtë me shqetësimet për mjedisin, pasi udhëtarët bëhen më të vetëdijshëm për gjurmët e tyre të karbonit.
Gaugain thotë se nuk është i befasuar që gjërat po lëvizin në këtë drejtim dhe parashikon që trenat do të jenë edhe më të popullarizuar në vitet që vijnë.
“Treni nuk është një objekt nga e kaluara”, tregon ai. “Trenat po plotësojnë të tashmen tani. Qëndrueshmëria është një arsye kryesore”.
“Nuk ka asgjë më të qëndrueshme se trenat kur bëhet fjalë për objektet udhëtuese. Aeroplani është shumë larg dhe mjetet e tjera konsumojnë shumë energji”, ka shtuar.
Gjithashtu ka thënë se trenat “do të bëhen gjithnjë e më shumë një mjet për të ardhmen. Dhe ajo që kemi në mendje me këtë tren është të bëjmë një automjet për të ardhmen. Një martesë mes luksit ekstrem dhe teknologjisë më të mirë”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com