Kosova

Pahor: Lajçak më pyeti nëse mund ta zëvendësoj – mund ta ndryshoj “lojën” në dialog


Borut Pahor

Ish-Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se, duke pas parasysh përvojën e gjatë politike që ka, mund ta ndryshojë “lojën” në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili aktualisht është në ngërç total.

Pahor ka një kohë që e ka shpallur kandidaturën për të marrë pozitën e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për ta zëvendësuar kështu Miroslav Lajçak-un, të cilit së shpejti i përfundon mandati.

Madje, për këtë, Pahor ka treguar se është ftuar në mars nga Lajçak në Bruksel, i cili, pohon, se e ka pyetur nëse do të ishte i gatshëm ta konsideronte vazhdimin e punës së tij në rast se do t’i jepej mandati nga Unioni.

“Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. Ata ma dhanë, për të cilën i jam mirënjohës”, ka thënë Pahor në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”.

Por, ish-kryeministri slloven potencon se më pas diçka ndryshoi në Bruksel, sa i pëkret kësaj teme.

“Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk ishte përfunduar tashmë në maj, siç u tha fillimisht, por këshilli (i ministrave të jashtëm të BE-së) vendosi në qershor të zgjasë mandatin e Lajçak për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, shtoi.

Përkundër kësaj, ish-presidenti i Sllovenisë, shprehet i gatshëm që ta plotësojë këtë pozitë nëse emërohet.

“Megjithatë, bazuar në më shumë se 30 vjet përvojë vendase dhe ndërkombëtare, e kam të qartë se do të ishte më e lehtë për mua në procesin e përzgjedhjes në maj”, vlerëson.

“Pas zgjedhjeve evropiane, kur formohen drejtuesit e institucioneve evropiane, duhet të shpërndahen edhe disa vende të rëndësishme. Dhe herë pas here këto pozicione vijnë në ndihmë edhe për shpërndarjen përfundimtare të funksioneve politike, ku referencat nuk dalin në pah aq sa shpërndarja politike e pushtetit pas zgjedhjeve. Është normale deri diku, jam mirë me të”.

Në të njëjtën kohë, ai iu drejtua Brukselit kështu: “Unë jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor”.

“Si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe pati një përshkallëzim, dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brioni”, deklaroi.

Dikush me këtë përvojë, sipas politikanit slloven, që vjen nga afërsia e këtij rajoni “mund të bëjë një ndryshim dhe mund të jetë një ‘ndryshues i lojës’”.

“Por nëse vendosin ndryshe, nëse gjykojnë se një politikan me përvojën e Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës mund të jetë i tepërt, ose se nuk është i përshtatshëm sepse është politikan dhe do të mbështeten te një diplomat, unë do të kuptoj, respektoj dhe vazhdoj punën time tjetër”, theksoi.

Tërheqje për ta marrë këtë pozitë për Pahor-in nuk ka.

“Do të qëndroj deri në fund, por do ta kuptoj rezultatin. Unë nuk jam nga ata që tërhiqen. Kam kandiduar sepse mendoj se kam referencat që më bëjnë më të mirën në këtë rast”, tha ai ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore