Kosova

Pahor: Dialogu ka ngecur, kam një plan për ta shmangur ngërçin


Borut Pahor

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, emri i të cilit u lakua si zëvendësues i të deleguarit aktual për dialogun, Miroslav Lajçak, ka potencuar se procesi i bisedimeve i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur për shkak të mungesës së besimit ndërmjet palëve dialoguese, dhe se ai ka një plan i cili munda ta rikthejë këtë proces në binarë përsëri.

Ndonëse nuk ka dashur të elaboroj në detaje planin e tij, Pahor është shprehur i interesuar të marrë postin e të deleguarit specialë të BE-së për dialogun.

“Kam një plan të timin, por nuk mund ta shpalosë tani. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, ka potencuar ish-presidenti slloven në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Në vlerësimin e tij pa progres në dialog, as Kosova as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt.

Gazeta sllovene, Delo, javë më parë raportoi se Pahor, mund të emërohet si i deleguari i ardhshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, duke zëvendësuar kështu në këtë pozitë, diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak.

Ndërkaq Radio Evropa e Lirë, ditë më parë raportoi se diplomati sllovak pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Duke cituar burime diplomatike, REL, potencoi se Lajçak do të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Lajçak për 4 vjet mban pozitën e të deleguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Ndërsa mandati i tij pritet të përfundojë në fund të gushtit të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore