Familja e M. vendosi të mos ikte drejt jugut, por të qëndronte në shtëpinë e vet në lagjen Tel al-Hawa, në qytetin e Gazës.
Nuk kanë ku të shkojnë në jug, nuk kanë me askënd.
Është e vështirë të largohesh me një nënë të moshuar dhe një djalë me aftësi të kufizuara në një karrige me rrota dhe të jetosh me ta në një nga shkollat e drejtuara nga UNRWA, të kthyera në strehimore për qindra mijëra njerëz.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, mbi një milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe kanë ikur në pjesën jugore të Gazës, për shkak të sulmeve të drejtpërdrejta me bomba, të ndjekura nga njoftimi i ushtrisë izraelite se ata duhet të evakuohen.
Por ka ende një numër të panjohur familjesh, të cilat, ashtu si familja e M., vendosën të mos largohen nga pjesa veriore dhe të qëndrojnë në shtëpi.
Disa prej tyre shkuan të strehoheshin në spitalet e Gazës, një ditë para se të goditej spitali Al Ahli.
“Sonte shpëtuam nga rreth 30 bomba dhe raketa të hedhura në lagje”, ka treguar ajo.
Edhe gjatë kohërave “normale”, Rripi i Gazës vuan nga një mungesë kronike e ujit.
Rreth 90 për qind e ujit në rubinet nuk është i pijshëm. Shumica e 2.2 milionë banorëve varen nga uji që pastrohet në objekte të posaçme që shitet ose shpërndahet në kontejnerë.
Vetëm një klasë e vogël dhe specifike njerëzish mund të përballojnë të blejnë ujë në shishe.
Por gjërat përkeqësohen gjatë luftërave.
Tashmë, përveç rrezikut fizik në çdo moment nga bombardimet izraelite, përveç terrorit, zisë dhe frikës së vazhdueshme për fatin e të afërmve dhe miqve, etja dhe vetëdija për nevojën për të pirë me kursim janë vazhdimisht në rritje.
Njoftimi i Izraelit se “furnizimi me ujë në pjesën jugore është rinovuar”, pas një kërkese të SHBA-ve, rreth një javë pasi ministri i Energjisë Israel Katz urdhëroi ndalimin e të gjitha furnizimeve me energji elektrike, ujë dhe karburant, ka krijuar përshtypjen e gabuar se ky është një gjest domethënës.
Por nuk është kështu.
Konsumi vjetor i ujit në Gaza është rreth 110 milionë metra kub.
Sipas Gisha, qendra e të drejtave të njeriut që fokusohet në situatën në Gaza dhe është në kontakt të vazhdueshëm me departamentet e ujit në qytetet e Gazës, kjo është rreth 85 për qind e sasisë së nevojshme për nevojat njerëzore.
Ky ujë buron nga tre burime.
I pari është akuiferi bregdetar, nga i cili pompohen rreth 85 milionë metër kub çdo vit përmes rreth 300 shpimesh dhe pusesh. Ky është i vetmi rezervuar uji atje dhe ka qenë i mbipompuar për dekada, për shkak të rritjes së popullsisë.
Ai po kontaminohet nga depërtimi i ujërave të detit dhe ujërave të zeza, prandaj uji i tij nuk është i pijshëm dhe duhet pastruar. Në shumë vende nuk është as i sigurt për t’u larë. Shumë pak njerëz mund të përballojnë të lahen në ujë të pastruar të blerë.
Një burim i dytë janë tre stacione për shkripëzimin e ujit të detit, të krijuara falë donacioneve nga komuniteti ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me Autoritetin Palestinez.
Ato prodhojnë rreth 8 milionë metra kub ujë në vit dhe në kohë të zakonshme, furnizojnë rreth 300 mijë njerëz.
Kurse burimi i tretë është uji nga kompania kombëtare izraelite e ujit Mekorot. Autoriteti Palestinez paguan për të me anë të zbritjes automatike nga tarifat doganore që ngarkon Izraeli për mallrat e importuara të destinuara për zonën palestineze.
Afro dy vite më parë, sasia që blihej ishte 15 milionë metër kub në ditë dhe sipas Gishës, në prag të luftës sasia u rrit në rreth 18 milionë metër kub në vit.
Por përdorimi i të tre burimeve ujore varet nga furnizimi i rregullt i energjisë elektrike dhe karburantit të grumbulluar për të operuar gjeneratorët.
Ndaj dhe në kohë “normale” furnizimi me ujë është i parregullt dhe nuk është i përditshëm, sepse furnizimi me energji elektrike nuk i plotëson nevojat as në Rripin e Gazës.
Izraeli i shet Rripit të Gazës 120 megavat energji elektrike në ditë.
Ky furnizim u ndërpre me udhëzimet e Katz menjëherë në fillim të luftës. Termocentrali lokal, i cili është i varur nga karburanti, prodhon 60 megavat të tjera në ditë dhe pushoi së funksionuari në fund të javës së kaluar.
Ka mbaruar karburanti që përdornin pronarët e gjeneratorëve të lagjeve të mëdha, që furnizonin me energji elektrike për disa orë në ditë.
Po ashtu tre objektet për shkripëzimin e ujit të detit janë mbyllur, në mungesë të karburantit dhe energjisë elektrike.
Disa objekte private ose publike për pastrimin e ujit mund të kenë ende një inventar të naftës për gjeneratorët e tyre, por edhe ai do të mbarojë brenda pak ditësh apo edhe orësh.
Për kamionët që shpërndajnë ujin e pastruar që është ende i disponueshëm po bëhet më e vështirë të arrish në lagjet e banuara sepse rrugët po bombardohen.
Në mungesë të energjisë elektrike, shumica e zonave nuk kanë ujë të rrjedhshëm dhe uji që pikon nga rubineti për rreth 30 minuta në ditë është ai ujë i kripur dhe i ndotur i papërshtatshëm për t’u pirë.
Njerëzit ende blejnë ujë në stacionet e furnizimit komunal, dhe kjo gjithashtu është e pakët.
Ndërkohë, shishet me ujë të pastruar në dyqanet që mbeten të hapura po mbarojnë.
Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se Mekorot ka rifilluar kanalizimin e ujit në stacionin në Khan Yunis në pjesën jugore të Rripit.
Sipas Gisha, ata nuk e dinë sa ujë ka, por nuk mund të dihet se sa nga kjo sasi e kufizuar arrin deri te banorët, kur nuk ka energji elektrike dhe karburant.
E gjithë kjo bëhet paraprakisht duke pasur parasysh dëmet e shkaktuara në infrastrukturën ujore nga bombardimet.
Në shkollat dhe objektet publike ku janë të mbushura me qindra të zhvendosur nga veriu, problemi është shumë më i rëndë.
Për shkak të mungesës së ujit të rrjedhshëm dhe kushteve me shumë njerëz në çdo shtëpi dhe ndërtesa publike të mbushura me refugjatë, njerëzit po përpiqen të përdorin sa më pak banjat.
Kjo është gjithashtu një arsye për të pirë më pak.
Objektet e trajtimit të ujërave të zeza gjithashtu do të mbyllen së shpejti dhe sasitë e ujërave të zeza që do të grumbullohen dhe do të krijojnë liqene, do të derdhen në det do të rrisin rrezikun e sëmundjeve dhe epidemive.
Kjo është arsyeja pse Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini, e ka quajtur krizën aktuale të ujit në Rripin e Gazës një çështje jetë a vdekje.
Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com