Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për të pranuar çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës së Kosovës përmes një komunikate për media.
“Nominimi i Presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim”.
“Në njoftimin e bërë nga Juria, thuhet se Presidentes Osmani i është dhënë Çmimi M100, për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave”, thuhet në njoftim.
Nga presidenca është thënë se ky çmim u jepet personaliteteve që vlerësohen që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane.
“Përpos Presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra”.
Ky forum ka nisur të mbahet në vitin 2005.
Osmani është nderuar nga Sanssouci Colloquium me çmimin M100 Media Aëard për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike. Në njoftimin e publikuar nga M100 Sanssouci Colloquium, thuhet se presidentja kosovare është e përkushtuar ndaj demokracisë dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Ndryshe, çmimi M100 u jepet individëve apo organizatave që promovojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut. E ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 12 shtator në Potsdam të Gjermanisë, nën patronazhin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili do ta ketë fjalën kryesore në këtë ngjarje.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë