Kosova

Osmani udhëton drejt El Salvadorit, merr pjesë në inaugurimin e “diktatorit më ‘cool’ në botë” me të cilin synon t’i forcojë raportet


Vjosa Osmani-Sadriu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri-zgjedhur të El Salvadorit, Nayib Bukele, njoftoi të enjten Presidenca e Kosovës nëpërmjet një komunikate për shtyp, ndërsa do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me udhëheqësit shtetëror atje.

“Fokusi i këtyre takimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ndërshtetëror si dhe forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja me shtete në rajonin e Amerikës Latine”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës, duke theksuar se vizita e presidentes Osmani është e para e një kreu të shtetit të Kosovës në shtetin e El Salvadorit.

“Presidentja po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera bilaterale me përfaqësues të shteteve të tjera, me qëllim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe avancimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, nga shumë analistë politikë e gazetarë, ish-kryetari i San Salvadorit është cilësuar udhëheqës autoritar. Madje, në vitin 2021, vetë Bukele e pati cilësuar veten “diktatori më ‘cool’ në botë” duke nxitur reagime të shumta në vend. El Salvadori ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore