Kosova

Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e At Antonio Belushit: E mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri


Vjosa Osmani dhe At Antonio Belushi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të At Antonio Belushit, i njohur edhe si “ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë”.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri”, tha Osmani, siç citohet nga zyra e presidencës.

E para e vendit ka theksuar se ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.

“Si Presidente e Kosovës kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje”.

Ajo ka shtuar se kur ia ka akorduar shtetësinë e Kosovës në cilësinë e presidentes së vendit, ishte i stërlumtur, sepse iu plotësua dëshira e tij jetësore.

“I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin!”, përfundoi Osmani.

Ndryshe, të enjten, u njoftua se ka vdekur Antonio Belushi, prift arbëresh, i njohur për kontributin e tij për çështjen shqiptare.

Belushi ka lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës në Itali. Ai ka qenë prift, gazetar, shkrimtar, pedagog dhe etnolog.

Belushi ka qenë tejet aktiv në mbrojtjen e kauzës shqiptare, posaçërisht asaj të Kosovës, në forma të ndryshme.

Ai ka diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”.

Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore