Kosova

Osmani ndan mirënjohje për SHSKUK për shërbimet që ofroi gjatë pandemisë COVID-19


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ndarjes së mirënjohjeve për kontributin e mjekëve gjatë pandemisë COVID-19.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën ka ndarë mirënjohje për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), për shërbimet që ofroi gjatë pandemisë COVID-19.

Lajmi është bërë i ditur përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ku thuhet se përmes “përkushtimi, profesionalizimi dhe sakrificës së mjekëve”, është arritur që pandemia të menaxhohet me sukses.

“Përkushtimi, profesionalizmi dhe sakrifica e mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve mbështetës, deri në rrezikim të jetës dhe shëndetit personal, bëri që Pandemia e Covid-19, të menaxhohet me sukses nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës”.

“Me ç‘rast Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, ndau mirënjohje “për kontribut të shquar dhe humanizmin e pashoq të treguar gjatë pandemisë Covid 19”, duke vlerësuar lartë ShSKUK-në, për meritat në menaxhim të suksesshëm të punës gjatë Pandemisë së Covid-19”, thuhet në komunikatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ndarjes së mirënjohjeve për kontributin e mjekëve gjatë pandemisë COVID-19.

Në këtë takim u kujtuan edhe mjekët të cilët gjatë kësaj periudhe u infektuan me COVID-19.

“Me rastin e vlerësimit dhe pranimit të mirënjohës nga Presidentja, përkujtojmë mjekët dhe infermierët tanë që gjatë kujdesit për pacientë u infektuan me Covid-19, nuk kursyen as jetën e tyre, duke u flijuar për të ofruar shërbime shëndetësore për pacientët e infektuar me Covid-19”.

Më 18 janar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë thirrje që të barten maskat në ambiente të mbyllura si dhe të bëhet vaksinim kundër COVID-19.

Ky apel i IKSHPK-së vjen pasi Kosova, është duke shënuar trend të rritjes së rasteve të reja.

Mirëpo që nga ky institut është thënë se, “fatmirësisht nuk kemi regjistruar asnjë rast fatal”.

Nga Instituti, është theksuar se janë duke vazhduar testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore