Kosova

Osmani luan rolin e ndërmjetësueses: Qeveria e bëri një hap, tash është radha e sindikatave


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje sindikatave që ta shqyrtojnë pakon e re të cilën e prezantoi sot Qeveria, dhe t’i japin fund grevës.

Këtë deklaratë Osmani e dha pas takimeve që pati me Këshillin e Prindërve, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, të gjitha për të gjetur një zgjidhje në çështjen e grevës, e cila po vazhdon si në institucionet arsimore ashtu edhe në ato të shërbyesve civil.

Për Osmanin, Qeveria me anë të kësaj pakoje ka bërë një hapë para, dhe tashmë radhën e kanë sindikatat.

“Tani është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë, që mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën në mënyrë që të krijohet një atmosferë krejtësisht e re, ku të gjitha palët ulen dhe t’i tregojnë kërkesat e tyre”, ka thënë Osmani.

“Inkurajojë të gjitha sindikatat që në mirëbesim me anëtarësinë e tyre ta shqyrtojnë këtë pako e cila i ndihmon përtej asaj rritjes në pagë e cila do të jepet nga shtatori e tutje. Një zgjidhje afatgjate do të kemi vetëm atëherë kur të miratohet projektligji për paga”, shtoi ajo.

Tutje, ajo tha se këto takime i ka bërë sot për qëllim të inkurajimit mes Qeverisë e sindikatave që të përfshihen në një dialog aktiv social.

Presidentja e vendit theksoi se është e përkushtuar për të gjetur sa më parë një zgjidhje që të fillojë procesi mësimor. “Interesi është i të gjithëve që grevat të zëvendësohen me dialog të vazhdueshëm”.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, në një konferencë për media të shtunën, ka prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, ka thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë në Kuvend, Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”, ka shpjeguar ai.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kurti më tej ka bërë të ditur se për zyrtarët publik do të ndajnë shtesën prej 50 eurove, duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh.

“Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jetët të vështirësohen për gjithë pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë, ka bërë të ditur se me pakon e re do të mbështetet secili biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Nga pakoja, sipas Kurtit do të përfitojnë edhe studentët.

“E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore