Kosova

Osmani e Hovenier flasin për zhvillimet e fundit në vend


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikë, Jeffrey Hovenier me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend si dhe përpjekjet e përbashkëta për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës e SHBA-ve në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim për media të presidencës.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për agjendën ndërkombëtare, në veçanti për pritshmëritë dhe aktivitet gjatë javës së lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Një ditë më parë, Osmani ka thënë se kërkesat dhe masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, s’kanë asnjë rëndësi për Kosovën dhe se qëllimi i tij është destabilizimi i rajonit.

“Kërkesat e një presidenti të një shteti tjetër të cilat nuk bëhen në mirëbesim dhe nuk e kanë asnjëherë në prioritet interesin e qytetarëve por vetëm interesat destabilizuese të Serbisë, nuk kanë asnjë rëndësi për Kosovën”, theksoi Osmani, pas lansimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore