Kampionë

Oscar De La Hoya: 3 korriku do të më gjejë sërish në ring për luftë


Ish-kampioni i 11 titujve në gjashtë kategori të ndryshme peshash, Oscar De La Hoya, planifikon rikthimin në ringun e boksit në korrik 2021.

De La Hoya ende konsiderohet si një ndër boksierët më të mirë të të gjithë kohërave, edhe pse paraqitja e tij e fundit me doreza boksi u mbyll me humbje kundër filipinasit Manny Pacquiao në 2008-n.

Meksikano-amerikani 48-vjeçar është përfshirë prej kohësh si agjent dhe promotor boksi, konkretisht për ata meksikanët, si për shembull talenti më i ri Ryan Garcia, apo kampioni i padiskutueshëm i peshave të mesme, Canelo Alvarez.

Ndërkohë që youtuber-i Jake Paul pret të boksojë në prill me një ndër artistët marcial më të mirë, Ben Askren, pikërisht në eventin promovues të ndeshjes së tyre, De la Hoya gjeti mundësi të njoftojë rikthimin e shumëpritur në ring: “3 korriku do të më gjejë sërish në ring për luftë”, dhe menjëherë pas këtij momenti, lëshon mikrofonin përdhe e del jashtë skene.

Por edhe pse De la Hoya kishte nxitur muajt e fundit të 2020-ës se dëshiron të boksojë sërish, ai u shpreh për DAZN se ndeshja e Mike Tyson – Roy Jones Jr. e frymëzoi edhe më për të rimarrë këtë iniciativë: “Mike Tyson më frymëzoi pa masë!”

Sfidanti i De La Hoya-s ende nuk dihet, si dhe detaje të tjera sa i përket vendit dhe kohës.

Në 2002, De La Hoya themeloi Golden Boy Promotions, brenda së cilës kanë nënshkruar disa boksierë të rinj të talentuar si: Ryan Garcia (21 – 0), Joseph Diaz (31 – 1 – 1), Vergil Ortiz Jr. (17 – 0) apo Seniesa Estrada (20 – 0).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore