Opinione / Politikë

Paraqitjet e Shqipërisë në Euro 2024, reflektim i transformimeve dhe sfidave të viteve të fundit në futbollin shqiptar


Albert Mecini Sociolog i sportit

Ngritja graduale e nivelit sportiv dhe lojës nga Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, në vitet e fundit, dëshmon për një rrugëtim kompleks të zhvillimit të futbollit shqiptar me ngritjet apo edhe ngecjet e kohëpaskohshme në aspekte të ndryshme në kuadër strukturës së gjerë të këtij sporti.

Në aspektin sportiv, Shqipëria më në fund ka arritur ta transformojë lojën dhe paraqitjen e saj, duke u kthyer në një ekip rivalizues dhe i denjë për kompeticionet garuse, siç është rasti me Euro 2024 në Gjermani.

Pavarësisht rezultateve finale që mund të dalin nga kjo pjesëmarrje për shkak të grupit të vështirë që ishte, në tërësinë e saj paraqitja e Shqipërisë ishte mjaft e suksesshme.

Loja strukturalisht e ndërtuar, precize, e balancuar, por njëkohësisht edhe e paparashikueshme, meritë gjithashtu e trajnerit Sylvinho dhe e trajnerëve paraprakë, bëri që Kombëtare të mëdha dhe me traditë në futbollin evropian dhe botëror, siç është rasti me kombëtare nga grupi B, si Italia, Spanja dhe Kroacia, të shfaqin respekt sportiv dhe qasje serioze ndaj Shqipërisë.

Në lojën e Shqipërisë në vitet e fundit është dëshmuar një pjekuri psiko-mentale në strukturën e përgjithshme të zhvillimit të lojës. Është kapërcyer nga potencialisht frika e pësimit të golit në fund të ndeshjes që e ka përcjellur Shqipërinë me dekada të tëra, në shënimin e golave në minutat e fundit, si rasti me Kroacinë, apo në sekondën e 23 të ndeshjes me Italinë që theu rekord historik për ndeshje në nivel të Kampionatit Evropian. Natyrisht ky transformim, mbi të gjitha dëshmon për kapërcim sistemik dhe ndërrim paradigme në futbollin shqiptar.

Gjithashtu në planin sportiv të këtij transformimi, është dukshme që tek lojtarët vërehet disiplinë taktike, stabilitet dhe më pak eufori emocionale, që dikur ishin të theksueshme.

Nga kjo mund të konkludohet se Shqipëria është drejt kapërcimit përfundimtar nga niveli i përformimit kryesisht emocional e euforik, në mungesë të ndonjë cilësie më të lartë në faza të mëhershme, apo përgatitjeve fizike të lojtarëve, në një model më të përparuar të paraqitjes së studiuar dhe të balancuar, por edhe me mundësi reagimi taktik brenda lojës që në të kaluarën ka qenë vështirë të ndodhë si pasojë e mungesës së komponentëve të lartpërmendura që lidheshin edhe me cilësinë e lojtarëve që kishte në dispozicion.

Kjo ka ndërruar tashmë tek Shqipëria dhe se cilësia e lojtarëve ka shkuar vazhdimisht në rritje, ndonëse ende larg kombëtareve më të mëdha të Evropës, por e mjaftueshme për ballafaqim dhe nxjerrje të rezultateve pozitive me kombëtaret evropiane të nivelit të ngjashëm.

Ky aspekt i rëndësishëm evolues i Shqipërisë në fushën e profesionalizmit sportiv, që lidhet direkt me aspektet e lojës në fushë dhe aktorëve sportivë, është dëshmi e punës profesionale në futbollin shqiptar në këto vitet e fundit.

Në nivel teorik kërkesat bashkëkohore të zhvillimit të sportit në përgjithësi, në veçanti pasi që është fjala tek futbolli, prezantojnë mekanizma pozitivistë dhe modernistë të ndërtimit dhe zhvillimit të një aktiviteti shoqëror drejt përsosmërisë dhe suksesit, duke integruar në të edhe dimensionin shkencor, elemente të cilat Shqipëria po i integron gradualisht dhe me sukses.

Sa i përket planit infrastrukturor Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, sidomos me ndërtimin e stadiumit “Air Albania”, me ç’rast, atmosfera që krijohej në të gjatë ndeshjeve kualifikuese ishte një shtysë e madhe drejt kualifikimit të Shqipërisë në Evropian. Kjo natyrisht dëshmon se infrastruktura ka impakt në sukseset sportive, ngase motivon dhe mobilizon gjendjen e përgjithshme të aktorëve sportivë.

Aty ku duket se nuk është bërë mjaftueshëm, është dimesnioni kompleks i paraqitjes sociale të aktorëve sportivë në hapësirën sportive, mediale dhe publike.

Një mungesë komunikim-ndërlidhjeje sociologjike, apo i natyrave psikologjike me këta aktorë, si lojtarët, stafi teknik, tifozeria dhe mediet, ka ndikuar në përformancë të jo të mirë, ngase pavarësisht atmosferës së bukur që zhvillohej qoftë në Tiranë, në Stadiumin “Air Albania”, kur luante Shqipëria, apo në ndeshjet në transfertë, por edhe në Euro 2024, kjo atmosferë jo çdoherë ishte cilësore në kuptimin sportiv.

E kuptueshme që kombëtaret në futboll ndërtjerash, prezantojnë karakterin nacional të vendit, simbolet, motivet muzikore etj, dhe se lojtarët iu përgjigjen këtyre aspekteve me të njëjtin afinitet përmes paraqitjes në fushë, por nëse kjo gjë i paraprin ose e stërkalon aspektin konkret sportiv të paraqitjes, atëherë debalancimi, prishja e harmonisë së organizimit sportiv, ndikon në rënien sjelljes sportive, dhe se çdo gjë përcjelljet nga euforia dhe momente që ndoshta në retrospektivë pas ngjarjeve, as vetë lojtarët e as tifozët nuk do t’i kishin bërë ose përsëritur, siç ishte rasti me sjelljen e futbollistit Mirlind Daku, pas ndeshjes me Kroacinë.

Po ashtu, duke qenë se Kombëtarja e Shqipërisë është e përbërë nga lojtarë nga të gjitha viset shqiptare, dhe diaspora shqiptare në përgjithësi, atëherë një kujdes më i madh në planin institucional të informimit me rregullat sportive që kodifikojnë sjelljet e palejueshme nëpër stadiumet, do të bënte që lojtarët dhe tifozeria të kenë shembullin e vet ndjekës të afirmimit të vlerës sportive, e jo të mposhten nga euforia apo sjellje të papërmbajtshme.

Tifozeria shqiptare ka potencial dhe aktorët sportivë në përgjithësi kanë potencial të madh për të dëshmuar shembull në arenën ndërkombëtare, dhe jo të bien pre e provokimeve, e aq më pak të manifestojmë sjellje që mund të kenë ngjashmëri me tifozeritë e fqinjëve të rajonit siç janë manifestimet shoviniste të tifozerisë së Serbisë apo disa tifozeri tjera kryesisht të vendeve të Evropës lindore apo jugore që ndër tjerash e portretizojnë Kosovën si pjesë të Serbisë, dhe nxisin publikun me qasje anti-Kosovë.

Në mungesë të një komunikimi të mirëfilltë sociologjik-sportiv në komunitetin mbarëshqiptar, jo pak gjëra janë zhvilluar në mënyrë joadekuate, dhe se kjo nganjëherë ka prodhuar pasiguri dhe sjellje negative nga tifozeria shqiptare, që lehtësisht nuk do ishin prezente, nëse komunikimi profesional do mbizotëronte sidomos në fushën e mediatike e cila paraqet një agjens të rëndësishëm të socializimit dhe modelimit të sjelljes sociale.

Autori është Asistent në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Sociologjisë. Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” dhe Phd kandidat në të njëjtin universitet.


Lajmet kryesore