Aplikacione

OpenAI zgjedh Londrën si vendndodhje për zyrën e parë ndërkombëtare


OpenAI, zhvilluesi i ChatGPT, ka zgjedhur Londrën si vendndodhjen për zyrën e parë ndërkombëtare pas përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të qëndruar konkurruese në garën e inteligjencës artificiale.

Kompania me bazë në San Francisko që qëndron pas chatbot-it të njohur ka thënë se do të fillojë zgjerimin jashtë SHBA-ve në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar.

OpenAI ka treguar se zyra e Mbretërisë së Bashkuar do të përforcojë përpjekjet për të krijuar “AGI të sigurt”.

AGI i referohet inteligjencës së përgjithshme artificiale, ose një sistemi shumë inteligjent të AI-së që shefi ekzekutiv Sam Altman, e ka përshkruar si “përgjithësisht më të zgjuar se njerëzit”.

OpenAI, e cila ka marrë mbështetje shumë miliarda dollarësh nga Microsoft, ka thënë se zyra në Londër do të fokusohet në kërkime dhe inxhinieri.

Kompania nuk ka thënë se kur do të hapej zyra ose sa njerëz do të punësonte, por tashmë ka shpallur katër role për zyrën e re, duke përfshirë një inxhinier sigurie dhe një drejtues të politikës.

Chloe Smith, Sekretarja e Shtetit për shkencën, inovacionin dhe teknologjinë, ka thënë se njoftimi i OpenAI ishte “një tjetër votë besimi për Britaninë si një fuqi e AI-së”.

Kurse Rishi Sunak ka thënë këtë muaj se donte që Mbretëria e Bashkuar të përfitonte nga një bum në zhvillimin e AI-së.

“Nëse qëllimi ynë është ta bëjmë këtë vend vendin më të mirë në botë për teknologjinë, AI është me siguri një nga mundësitë më të mëdha para nesh”, ka thënë ai.

Kryeministri po përpiqet gjithashtu të vendosë Mbretërinë e Bashkuar në ballë të rregullimit të AI-së dhe ka njoftuar planet për një samit global të sigurisë së AI-së në vjeshtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore