Lajme

OKB jep “alarmin e kuq” teksa bota thyen rekordet e të nxehtit


Vitin e kaluar u thye çdo rekord i madh global i klimës.

Kështu ka bërë me dije Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), duke shprehur shqetësim të veçantë për nxehtësinë e oqeanit dhe tkurrjen e akullit të detit.

Agjencia e OKB-së e motit ka thënë në raportin e saj vjetor të gjendjes së klimës globale se temperaturat mesatare arritën nivelin më të lartë në 174 vitet e mbajtjes së rekordeve me një diferencë të qartë, duke arritur 1.45 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Edhe temperaturat e oqeanit arritën të dhënat më të larta në 65 vjet, me mbi 90% të deteve që kanë përjetuar kushte të valëve të të nxehtit gjatë vitit, duke dëmtuar sistemet ushqimore.

“Komuniteti i WMO po i jep alarmin e kuq botës”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e WMO Celeste Saulo.

“Ajo që dëshmuam në vitin 2023, veçanërisht me ngrohtësinë e paparë të oqeanit, tërheqjen e akullnajave dhe humbjen e akullit të detit Antarktik, është shkak për shqetësim të veçantë”, ka shtuar ajo.

Ndryshimet klimatike, të nxitura nga djegia e lëndëve djegëse fosile, së bashku me shfaqjen e modelit natyror të klimës El Nino, e shtynë botën në territor rekord në vitin 2023.

Sakaq, shkencëtarët kanë paralajmëruar se viti 2024 mund të jetë edhe më i keq.

Raporti ndërkohë ka treguar një rënie të madhe në akullin e detit Antarktik, me nivelin e pikut të matur në 1 milion km2 nën rekordin e mëparshëm.

Referuar raportit, ko prirje e kombinuar me ngrohjen e oqeanit, ka kontribuar në një më shumë se dyfishim të shkallës së rritjes së nivelit të detit gjatë dekadës së fundit krahasuar me periudhën 1993-2002.

Nxehtësia e oqeanit u përqendrua në Atlantikun e Veriut me temperatura mesatare 3 gradë Celsius mbi mesataren në fund të vitit 2023, thuhet në raport.

Temperaturat më të ngrohta të oqeanit ndikojnë në ekosistemet delikate detare dhe shumë lloje peshqish janë larguar në veri nga kjo zonë duke kërkuar temperatura më të ftohta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore