Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të mërkurën një rezolutë të hartuar nga palestinezët që i kërkon Izraelit t’i japë fund “pranisë së tij të paligjshme në Territorin e Pushtuar Palestinez” brenda 12 muajve.
Rezoluta mori 124 vota pro, ndërsa 43 vende abstenuan mes tyre, Shqipëria. Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe 12 vende të tjera votuan kundër.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.
Veprimi izolon Izrael-in disa ditë përpara se liderët botërorë të udhëtojnë në New York për mbledhjen e tyre vjetore të OKB-së.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh më 26 shtator, në të njëjtën ditë me presidentin palestinez Mahmud Abbas.
Rezoluta mirëpret një opinion këshillues të korrikut nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që tha se pushtimi i territoreve dhe vendbanimeve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm dhe duhet të tërhiqet.
Opinioni këshillues – nga gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, e njohur gjithashtu si Gjykata Botërore – thoshte se kjo duhet të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur”, megjithëse rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme vendos një afat 12-mujor.
Rezoluta është e para që paraqitet zyrtarisht nga Autoriteti Palestinez pasi fitoi të drejta dhe privilegje shtesë këtë muaj duke përfshirë një ulëse midis anëtarëve të OKB-së në sallën e asamblesë dhe të drejtën për të propozuar projekt-rezoluta.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com