Pajisje

Odyssey Ark, ekrani më i madh i lakuar i Samsung-ut


Kompania teknologjike Samsung ka zbuluar një ekran të lakuar 55 inç me një mbajtëse të veçantë që i lejon përdoruesit ta rrotullojnë monitorin gjigant vertikalisht.

Kjo risi e radhës mban emrin Samsung Odyssey Ark dhe kompania po e prezanton atë si një produkt të vërtetë që po planifikon ta dërgojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në gjysmën e dytë të vitit.

Deri më tani, tregon faqja “The Verge” e të rejave teknologjike, nuk është e qartë nëse ai ka për qëllim lojën, produktivitetin, të qenit trendi i momentit, apo të gjitha këto bashkë.

Sipas vetë kompanisë, Odyssey Ark është një monitor fleksibël i gjeneratës së ardhshme, i përsosur për njerëzit që bëjnë gjithçka, nga redaktimi deri te lojërat në shtëpi.

Ndryshe, ai është “ekrani i ri i lojërave lider në industri me një ekran të lakuar 55 inç dhe raport pamjeje 16:9”.

Kurse lidhur me funksionalitetin e rrotullimit dhe animit, përveç dizajnit të avancuar ergonomik, ai i ofron çdo lojtari rehati optimale.

“Ky ekran i ri rrotullues vertikal i stilit të kabinës ofron një përvojë të re të lojës dhe lejon orientimin e portretit ose të peizazhit për konfigurimin me shumë detyra dhe me shumë dritare”, ka specifikuar Samsung-u.

Ndërkaq, opsionet Multiview i lejojnë përdoruesit të rregullojnë Odyssey Ark siç dëshirojnë me një madhësi ekrani plotësisht të adaptueshme për t’iu përshtatur lojës ose programit.

E gjitha pa kompromentuar ekranin e tij 4K dhe imazhet e ndritshme dhe shumëngjyrëshe.

Gjithashtu Samsung-u ka zbuluar se monitori përmban edhe një kontrollues telefonik me valë për të menaxhuar ndriçimin dhe ndërfaqen.

Me një raport pamjeje 16:9, nuk është krejt i njëjtë me monitorët e mëparshëm super ultra të gjerë 32:9. Paçka se kurba në foto duket e ngjashme.

“The Verge” vlerëson se raporti tradicional i pamjes mund të ndihmojë me efektin e shtrirjes në lojëra dhe hapësirës rreth filmave dhe shfaqjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore