Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga masat që e përjashtojnë atë nga nismat rajonale.
Kërkesën e ka bërë përmes një komunikate për media ku janë shprehur shqetësimet për paralajmërimet që janë bërë në ditët e fundit lidhur me mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga nismat e bashkëpunimit rajonal.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka vlerësuar si shqetësuese paralajmërimet e ditëve të fundit lidhur me mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga nismat e bashkëpunimit rajonal për shkak të qasjes aktuale”.
“OEAK ka përsëritur thirrjen e saj ndaj Qeverisë së Kosovës për shfuqizim të masës që pengon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të marrëveshjes CEFTA, teksa ka theksuar se ‘një masë e tillë rrezikon jo vetëm të arriturat e shënuara përgjatë viteve, por kërcënon prospektet e ardhshme të Kosovës, të cilat do të rezultonin nga bashkëpunimi ekonomik”, thuhet në komunikatë.
Sipas odës, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për realizimin e aspirteve për integrim euro-atlantik.
“Qasja aktuale e cila mund të çojë në izolim ekonomik e politik, do të sillte pasoja të paparashikueshme për Kosovën, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, aq më tepër që paralajmërimet e tilla nuk duhet të shihen si retorikë boshe, meqë tashmë Kosova është duke u ballafaquar me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat rezultojnë në mundësi të humbura të zhvillimit ekonomik dhe përparimit social”.
Sipas tyre, sfidat që ka Kosova duhet të adresohen përmes mekanizmave të paraparë.
“Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se këto sfida duhet të adresohen përmes mekanizmave të paraparë në kuadër të aranzhimeve për tregti të lirë dhe përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv”, ka thënë OEAK në këtë reagim.
Ndërsa, ia ka ripërsëritur Qeverisë nevojën që të koordinohet me të gjitha shtetet aleate.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon edhe një herë nga Qeveria e Kosovës që të konsiderojë rëndësinë e koordinimit me të gjitha shtetet aleate, dhe të përmbahet nga veprimet që kanë efekt të kundërt në realizimin e synimeve të përbashkëta për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike”.
Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor takoi javën e kaluar kreun e ekzekutivit kosovar, ku theksoi se vendet e rajonit, posaçërisht Kosova e Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise në rrugën e tyre drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian (BE).
“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt BE-së”, tha ai duke folur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
E nisur nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, kjo iniciativë synon të lehtësojë zhvillimin ekonomik përmes nxitjes së bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, para anëtarësimit në BE.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë