Ndërmarrja e sigurisë kibernetike industriale me bazë në San Francisko, “Nozomi Networks”, ka njoftuar se ka grumbulluar 100 milionë dollarë nga klientët dhe partnerët e vet të teknologjisë për të ndihmuar në ndërtimin e produkteve të reja dhe zgjerimin e shitjeve.
Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se startup-et e sigurisë kibernetike kanë marrë investime të mëdha vitin e kaluar për shkak të një rritjeje të mprehtë të sulmeve kibernetike të profilit të lartë.
Sipas shefit ekzekutiv të kompanisë, Edgard Capdevielle, “Nozomi Networks” është e specializuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si: nafta, gazi dhe uji, si dhe objektet prodhuese.
Software-i i Nozom-it monitoron makineritë, përfshirë valvulat dhe tubacionet, për të parë nëse ka ndonjë anomali dhe pastaj paralajmëron kompanitë se ku nevojiten rregullime urgjente për të mbrojtur objektet nga hacker-at.
Gjithashtu Capdevielle ka zbuluar se ky software gjurmon makineritë dhe pajisjet e ndryshme që janë të lidhura me internet për t’i monitoruar ato.
“Numri i sulmeve është dyfishuar nga viti në vit”, bazuar në atë që kompania e tij po vëren në fushën e sigurisë kibernetike industriale, ka bërë me dije Capdevielle.
“Ne kemi kaluar nga të pasurit e një personi të brendshëm keqdashës këtu dhe atje, dikush që nuk i pëlqeu mënyra se si ai ose ajo u pushua nga puna, deri në këta njerëz ransomware që duan t’ju mbyllin”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, ai nuk ka pranuar të tregojë se sa u vlerësua kompania në raundin e fundit të financimit.
Kurse për sa i përket investitorëve të ‘Nozom-it’, ata përfshijnë ‘Honeywell Ventures’, një krah investimi i ‘Honeywell International Inc’, si dhe ‘In-Q-Tel’, fondi i kapitalit të sipërmarrjes i mbështetur nga Agjensia e inteligjencës amerikane, CIA.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com