Njohja e pasaportave serbe për Kosovën nga BE/Gjuriç i gëzuar: Fitore e rëndësishme për serbët e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, është shprehur i lumtur me vendimin e Bashkimit Evropian që të njoh pasaportat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës dhe gjithashtu t’ua heq vizat që të mundësojë udhëtimin në Zonën Schengen përmes tyre.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në platformën X se kjo është “një fitore e vogël por e rëndësishme për të drejtat e serbëve në Kosovë”.
Gjuriç shtoi se “mirëpres vendimin e Këshillit Evropian që përfundimisht i hoqi vizat për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria koordinuese e Serbisë në Beograd”.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendim që të ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku sipas të cilave Kosova është pjesë e Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Këshilli Evropian.
“Këshilli vendos heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”.
“Miratimi i sotëm nga Këshilli përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, thuhet në komunikatë.
Askush s’e ka të qartë propozimin e KE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com