Jo shumë kohë më parë, i sugjerova një shokut tim nga industria e muzikës të më bashkëngjitej për performancën e një artisti në Londër. Me njëfarë kundërshtimi të menjëhershëm mu përgjigj: “Nuk shkoj te Noah Kahan. S’dua të kompleksohem”. Në logjikën e këtij reflektimi personal fshehet edhe realiteti i komplikuar i industrisë së muzikës shqiptare.
Për shumë prej tyre, karriera është shpeshherë e kufizuar në tregun e “tallavizuar” të industrisë së muzikës shqipe. Ata fitojnë popullaritet, etablohen si të rëndësishëm në sytë e publikut, krijojnë “hite” sezonale dhe ftohen në klubet e natës për të performuar në skena të vogla me mure të mbushura me njerëz. Shumë prej tyre, megjithatë, shuhen shpejt. Ata përfundojnë brenda një qarku të një karriere me “fansa” pa arritur të shfaqin dhe maksimizojnë kreativitetin e tyre artistik.
Prandaj, disa fillojnë dhe përfundojnë karrierat e tyre si artistë klubesh. Për ta, ndonëse xhirollogaritë mund të mbushen, vlerat artistike ngulfaten brenda realitetit të një industrie që frymon e “regjistruar” dhe ekziston shkaku i kërkesës nga jeta e natës. Për shumicën prej tyre, skenat e koncerteve të mëdha mbeten vetëm dëshira të një projektimi fillestar se çka potencialisht nënkupton të jesh artist.
Në fakt, ndonëse të rëndësishëm në kontekstet lokale, ata mbesin “artistë” vetëm brenda mureve të zymta klubesh dhe dritareve digjitale te YouTube-it. Këtu, për fat të keq, jeton sot industria e muzikës shqipe. Për këtë arsye, ata rrugës kompleksohen përballë asaj që dikur e kishin aspiruar, por tashmë u është kthyer në makth: të performuarit ‘live.’
Ironikisht, në këtë zymtësi artistike, tregu i saturuar me shumë “yje” gjen forma për ta rregulluar veten. Prandaj, skena e “Sunny Hill”, me gjithë superyjet që aterojnë në Kosovë, shërben edhe për të shpërfaqur realitetin e tregut të muzikës shqiptare duke i sfiduar ata të sillen si yje të vërtetë. Këtë vit, si edhe në Sunny Hill-in e kaluar, Yll Limani dhe menaxhmenti i tij vërtetuan se industria në të cilën operojnë është realisht cenzuruese për kapacitetin dhe ambiciet që ata posedojnë. Në fakt, këtë vit Ylli lulëzoi në skenën e Sunny Hill-it duke elektrizuar masën që këndonte me të në kor si asnjëherë më parë në karrierën e tij.
Me bendin mbrapa tij dhe një performancë krejtësisht “live”, pas insistimit të menaxhmentit të tij, Limani tregoi se, pavarësisht hezitimit fillestar, ai ishte në gjendje të realizoj një paraqitje të mirë-menduar dhe kujdesshëm të konceptuar. Me një vizualizim të detajuar prapa shpinës së tij, performanca e Yllit, ndonëse shqip, do të mund të pozicionohej në programin e festivaleve të muzikës në secilin qosh të botës.
Bile, në një video nga llogaria e Instagramit të Dukagjin Lipës, edhe superylli i muzikës dhe njëherazi vula e festivalit “Sunny Hill,” Dua Lipa, duket ta përjetojë e mbushur me kënaqësi këngën “Buzët e Kuqe” të Yllit. Me një entuziazëm të veçantë dhe të buzëqeshur përgjatë performances së tij, edhe Dua Lipa, vetë epiqendra e industrisë së muzikës botërore sot, po duket ta përjetojë muzikën e tij si një fanse e një këngëtari brenda tregut shqiptar. Në fund të fundit, kjo performancë dhe ky moment duket dhe duhet të shërbejë edhe si rikujtim për vetë Yllin për yllin që ai realisht është.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com