Samy Bengio, menaxheri i kërkimit në Google, ka deklaruar se po jep dorëheqjen pas pushimeve nga puna të kolegëve të tij që kanë vënë në pikëpyetje praktikat e diversitetit.
Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se Bengio e ka bërë lajmin të ditur nëpërmjet një email-i të brendshëm duke i dhënë goditjen e radhës kompanisë që ka në pronësi Google-in, Alphabet Inc.
Google-i e ka konfirmuar dorëheqjen e Bengio-s, i cili ishte i vetmi punonjës i profilit të lartë që ende nuk kishte dhënë dorëheqjen.
Më parë, dy inxhinierë të tjerë kanë dhënë dorëheqjen në formë proteste ndaj shkarkimit nga puna të studiueses së inteligjencës artificiale, Timnit Gebru.
Lidhur me përvojën e Bengio-s në Google, ai ka kaluar rreth 14 vjet në kompani dhe ishte ndër punonjësit e saj të parë që ishte përfshirë në projektin e quajtur Google Brain. Projekti kishte të bënte me algoritme të përparuara për funksionimin e sistemeve të ndryshme moderne të inteligjencës artificiale.
Një anëtar i hershëm i Google Brain-it, Andreë Ng, i cili tanimë drejton startup-in e software-it të quajtur Landing AI, është shprehur për Bengio-n se “ka qenë thelbësor për ecjen përpara të teknologjisë dhe etikës së inteligjencës artificiale”.
Sara Hooker, një tjetër studiuese e Google Brain-it, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën Twitter ka thënë se largimi i Bengio-s është “një humbje e madhe për Google-in”.
Sipas Reuters, në email-in e dërguar prej tij në kompani ishte shprehur se do ta linte Google-in për të ndjekur “mundësi të tjera emocionuese” dhe se dita e tij e fundit në kompani do të ishte data 28 prill.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com