Lajme

Një tërmet i ri me magnitudë 6.3 u raportua në Afganistan


Një tërmet me magnitudë 6.3 u raportua të mërkurën e 11 tetorit në Afganistanin perëndimor pas një serie tërmetesh gjatë fundjavës që raportohet se vranë të paktën 2 mijë njerëz.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve (USGS) tha se tërmeti i fundit me magnitudë 6.3 ka ndodhur rreth 28 kilometra jashtë Heratit, kryeqyteti i provincës me të njëjtin emër.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia amerikane “Associated Press”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Informacionit të udhëhequr nga talebanët, Abdul Wahid Rayan tha se numri i të plagosurve ishte 80 dhe tha se një rrëshqitje e dheut bllokoi autostradën kryesore Herat-Torghondi.

Ambulancat po dërgoheshin në distriktin Rabat Sangi të Heratit, i cili raportohet se ka marrë pjesën më të madhe të tërmetit të fundit.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, tërmeti i ri shkatërroi rreth 700 shtëpi në fshatin Çahak, i cili nuk ishte prekur nga lëkundjet e ditëve të mëparshme.

Epiqendra e tërmetit të parë më 7 tetor ishte rreth 40 kilometra në veriperëndim të Heratit, i cili ka 700 mijë njerëz në qytet dhe në zonën përreth. Ajo u pasua nga të paktën tre pasgoditje të mëdha.

Zyrtarët talebanë thanë se të paktën 2 mijë njerëz u vranë në tërmetet e fundjavës, por nuk dolën me një shifër përfundimtare zyrtare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur numrin e përgjithshëm të personave të prekur në më shumë se 11 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore