Kosova

Një libër për Ibrahim Rugovën


Libri "Pushteti dhe Intelektualet"

Fondacioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës “Ibrahim Rugova” në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, ka botuar librin “Pushteti dhe Intelektualët”, libër me intervista dhe shkrime të Rugovës.

Promovimi i librit është bërë në ambientet e selisë qendrore të LDK-së, derisa kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, e ka përshkruar Rugovën “më shumë se një njeri, një epokë”, duke risjellur në kujtesë përshkrimin e shkrimtarit francez Viktor Hygo për filozofin dhe historianin Volter.

“Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale”, tha Abdixhiku para anëtarëve të partisë dhe familjarëve të Rugovës.

“Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë”, kujtoi Abdixhiku.

May be an image of 5 people and crowd
Fjalimi i Abdixhikut gjate promovimit te librit

Si kryetar i LDK-së, Abdixhiku konsideroi se Rugova ka lënë “një trashëgimi epokale, që sot na shërben si udhërrëfim kombëtar”.

I themeluar nga partia, Fondacioni “Ibrahim Rugova” bën botimin e librave, të cilët, sipas Abdixhikut, “kultivojnë dhe përcjellin tek breznitë e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës”.

Edhe libri i promovuar këtë të diel, është në funksion të këtij qëllimi.

Libri, deklaroi Abdixhiku, “na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore