Lajme

Një kafkë e 4 mijë viteve më parë tregon se si është kryer një operacion kundër kancerit


E klasifikuan me numrin 236.

Është kafka – me nofullën e ngjitur – e një të riu rreth moshës 30-35 vjeç.

Në këtë kafkë mund të ketë shenja të ‘operacionit’ të parë antikancerogjen, supozojnë shkencëtarët që e kanë analizuar.

Vëzhgimi mikroskopik zbuloi një lezion të madh, të pajtueshëm me shkatërrimin e tepërt të indeve, një neoplazi.

Ekzistojnë gjithashtu rreth 30 lezione të vogla me metastaza të rrumbullakëta të shpërndara në të gjithë kafkën.

Por ajo që i habiti studiuesit ishte zbulimi i shenjave të prera rreth këtyre lezioneve, të cilat ndoshta ishin bërë me një objekt të mprehtë si një mjet metalik.

“Kur vëzhguam shenjat e prera nën mikroskop për herë të parë, nuk mund ta besonim atë që kishim përpara”, ka treguar Tatiana Tondini, studiuese në Universitetin e Tübingen dhe autorja e parë e studimit.

“Ne donim të dinim rolin e kancerit në të kaluarën, sa e përhapur ishte kjo sëmundje në kohët e lashta dhe se si shoqëritë e lashta ndërvepruan me këtë patologji”, ka treguar Tondini.

Me këtë objektiv, studiuesit ekzaminuan dy kafkat e ruajtura në Koleksionin Duckworth në Universitetin e Cambridge.

Kafka E270 tregon gjithashtu një lezion të madh në përputhje me një tumor që çoi në shkatërrimin e kockave.

Kjo mund të tregojë se megjithëse stili i jetesës së sotme, popullsia në plakje dhe kancerogjenët në mjedis rrisin rrezikun e kancerit, kjo ishte gjithashtu një patologji e zakonshme në të kaluarën.

Në kafkën E270 ka edhe dy lezione të shëruara nga lëndimet traumatike.

Njëri duket se e ka origjinën nga një ngjarje e dhunshme në distancë të afërt, vërehet përdorimi i një arme të mprehtë.

Ndaj një hipotezë nga shkencëtarët: këto lezione të shëruara mund të nënkuptojnë se personi potencialisht mori një lloj trajtimi dhe, si rezultat, mbijetoi.

Të shohësh një lëndim të tillë te një femër është e rrallë, shumica e lëndimeve të lidhura me dhunën gjenden te meshkujt.

“A ishte kjo grua e përfshirë në ndonjë lloj aktiviteti lufte? Nëse është kështu, ne duhet të rimendojmë rolin e grave në të kaluarën dhe mënyrën se si ato kanë marrë pjesë aktive në konfliktet në antikitet”, ka thënë Tondini.

Autorët, megjithatë, kanë thënë se studimi i mbetjeve skeletore vjen me disa sfida që e bëjnë të vështirë bërjen e deklaratave përfundimtare, veçanërisht sepse mbetjet shpesh janë të paplota dhe nuk ka histori të njohur mjekësore.

“Në arkeologji, ne punojmë me një pjesë të fragmentuar të së kaluarës, gjë që ndërlikon një qasje të saktë”, ka thënë Albert Isidro , onkolog kirurgjik në Spitalin Universitar Sagrat Cor, i cili është i specializuar në Egjiptologji.

“Ky studim kontribuon në një ndryshim të perspektivës dhe përbën një bazë inkurajuese për kërkimet e ardhshme në fushën e paleo-onkologjisë, por studime të mëtejshme do të nevojiten për të sqaruar mënyrën se si shoqëritë e lashta e trajtonin kancerin”, ka thënë Edgard Camarós, paleopatolog nga Universiteti i Santiago de Compostela.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore