Përqark dëgjon zëra. I pëshpëritin aq sa ia rrëmbushin sytë e thellojnë të zinjtë rrathë poshtë syve.
Në pafuqi për t’i larguar, kërkon me ngulm t’u ikë.
E me cilin çmim?! Me jetën.
Krisma për tjetrin pason të ashprën shkrepje arme drejt vetes.
Se ky u desh të ishte fundi i “Një cigare të fundit”. Filmi i pak minutave e shumë ndjesive të shkalafitura që trazojnë një dashuri.
Një dashuri… normale.
Dashuri e normales
“Prej kohësh, ka qenë në dëshirën time ta trajtoj këtë temë.
Duke qenë se në rrethin tim shoqëror kam miq, të cilët e vuajnë këtë… lindi edhe ideja të prek pjesën e homoseksualëve.
Ata e kanë të vështirë si ta pranojnë edhe të pranohen nga shoqëria.”
Një dëshirë që arriti të dilte në sipërfaqe falë Festivalit 48-orësh.
Atje, regjisori Alfredo Shabani, dëshirën për të qenë pjesëmarrës e ktheu në shkas për të shtuar edhe një krijim më shumë në portofolin e tij artistik.
E për të, kjo ishte ngjarja e një mundësie.
“Ngjashëm siç e kërkonin rregullat e festivalit, filmi është me metrazh të shkurtër. Ai nuk i kalon pesë minuta.
Edhe nëse do të kërkohej me metrazh të gjatë, me shumë gjasa nuk do të merrja hiç pjesë.
Pse? Sepse nuk është as mundësia, as buxheti i nevojshëm.”
Por si shpërfaqet historia e atyre pak minutave të filmit?
Shabani ka rrëfyer për Albanian Post se gjithçka i shkon rrotull një mërzie pas një dashurie.
Fundi i së cilës i jep fund së gjithës.
“Gjithkush e ka një mënyrë sesi ta largojë mërzinë prej vetes.
Disa, kur mërziten e ndezin një cigare. Prandaj, zgjodha ta titulloj filmin ‘Një cigare të fundit’.
Personazhi kryesor i filmit, Iliri, zgjedh të pijë një cigare të fundit… se ndodhet në çastet kur mendon e mendon pareshtur.
Dhe papritur… kryen vetëvrasje.”
I trishtë, por filmik. Kështu e përcakton ai këtë fund.
Kurse për vetë realizimin, nuk nguron ta vështrojë si të guximshëm dhe njëherazi delikat për t’u trajtuar.
“Ende nuk kemi parë filma të mirëfilltë ku ky fenomen të trajtohet si normal. Ndërkohë, ka plot të tjerë ku ata janë bullizuar, tallur, ironizuar dhe nuk janë trajtuar me nota të normalitetit”, dallon regjisori.
Aq më pak të jenë shfaqur të dashuruar aq shumë.
Këtu qëndron e bukura e këtij krijimi të tij artistik, te normaliteti.
Paçka këtij triumfi, Shabani endet mes “frikës” se si do të pritet filmi she se si do të flitet për të.
“Nuk e di se si do të pritet. Nuk e di nëse e kam sjell mirë këtë temë, se si do të komentohet… çdo gjë.
Nëse edhe për projektet e tjera kam pasur frikë, kësaj here kam shumë më shumë frikë se si do të pritet.”
Megjithatë, ai nuk e gjykon të lokalizuar vetëm në vendin tonë paragjykimin mbi këtë fenomen. E sheh më gjerë, të gjendur ngado.
“Desha dhe e bëra, e trajtova ndryshe këtë temë. Pastër, të bardhë. E bëra për dashurinë, për të cilën secili prej nesh ka nevojë. Ngjashëm edhe ata”, veçon regjisori.
Dhe kjo mbase nuk është lehtësisht e dukshme në ato pak minuta të filmit.
Por për Shabanin, “edhe pse mund të mos jetë e theksuar apo e dukshme, një sy i mprehtë e merr kuptimin, e dallon.”
Ndasia për filmin
“Një film i realizuar për 48 orë, çka është e vështirë, por ia kemi arritur të nxjerrim një punë të mirë”.
Ky është përcaktimi që i jep aktori Indrit Ymeri procesit të realizimit të “Një cigare të fundit”.
Të cilësuar “me vlerë” përvojën e të qenit aktor i këtij filmi minutash të forta, ai ngjashëm si regjisori e çon temën në rrjedhat e delikates.
“Tema e filmit është paksa delikate. Bëhet fjalë për një djalë që do një djalë tjetër dhe që ky i fundit nuk jeton më.
Personazhi kryesor është duke kaluar një gjendje të rëndë psikologjike dhe në mendjen e tij ka fantazi nga më të ndryshmet për hakmarrje mbi atë që ka ndodhur.”
Ymeri ka marrë pjesë te po i njëjti festival filmi edhe para katër vitesh. Jo në rolin e aktorit, por të regjisorit.
Duke qenë se e provoi asokohe si përvojë, dëshirën për të marrë sërish pjesë në të e kishte të pakët, thuajse në zero.
Kjo pasi dëshiron të reja alternativa, opsione. Dëshiron të ndërmarrë hapa përpara dhe jo të shohë pas.
“Por ishte regjisori i filmit, Alfredo, ai që ma ndryshoi mendjen. Me këmbënguljen e tij që kësaj here të merrja pjesë si aktor, pranova.
Kësaj, i shtohet edhe fakti që aktrimin e kam me shumë, shumë pasion… dhe ende nuk e kam zbuluar te vetja nëse dua më shumë aktrimin apo regjinë.
Ndoshta, do të më duhet edhe shumë kohë derisa ta zbuloj.
Kështu që, mora pjesë. Dhe me çka arrita, jam tejet i kënaqur.”
E njëjta ndjesi nuk shkon për nivelin e përgjithshëm të filmave të festivalit. Te to, aktori sheh të meta.
“Në përgjithësi, niveli i filmave te ky festival lë për të dëshiruar. Nëse janë dorëzuar 14 filma, vetëm katër mund të konsiderohen me të gjitha parametrat në rregull”, tregon ai për Albanian Post.
Dhe se për këtë gjykim të tij, nuk i fton të rinjtë për të qenë pesimistë e të dekurajuar, përkundrazi. Ata duhet ta kthejnë në motivim dhe përkushtim drejt përmirësimit.
Fituesit e festivalit, sipas Ymerit, në të shumtën e herëve janë ata që mbështeten nga një produksion.
Dhe se kjo hap debat, pasi ka ardhur momenti që kjo ngjarje e kinematografisë në vend të marrë një trajtë dhe të mbajë një drejtim.
“Të bëhet ndarja nëse është festival që mbështet të rinjtë apo që mbështet të rinjtë me një kompani produksioni të mirëfilltë. Këtu qëndron një ndarje tejet e madhe”, dallon ai.
Aktori e analizon në detaj këtë ndasi sepse në të padukshmen e saj fshihet mundësia ose pamundësia për të nxjerrë një fil fitues. Një film relativisht të mirë.
“Disa të rinj kanë gjetur kamerat, kanë gjetur aktorët, kanë gjetur muzikën… të gjitha me të njohurit e tyre, me miqtë, me shokët, të cilët janë jo-profesionistë.
Ndërsa ka të tjerë pjesëmarrës që kanë studio të mirëfillta me kamera të cilësisë së lartë dhe mjete të tjera mbështetëse të kohës që i ndihmojnë. Të paktën që filmi të duket bukur.
Paçka se kreativiteti dhe historia janë në dorën e krijuesit, mjetet janë të rëndësishme.
Dhe shumë prej grupeve që marrin pjesë aty, nuk i kanë këto mjete. Kështu, filmat që fitojnë janë ata që kanë një kompani produksioni mbrapa.”
Për Ymerin, vërejtja duhet të nisi zbatimin. Ndryshe, më pak krijues të rinj dhe më pak pjesëmarrës do të ketë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com