Lajme

Nis gjykimi për ish-koduesin e CIA-s, i dyshuar për ndarjen e informacioneve të klasifikuara


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prokurorët po merren sërish me rastin e ish-koduesit të CIA-s që ndau informacion të klasifikuar me faqen WikiLeaks pas një mosmarrëveshjeje personale me një koleg.

Çështja lidhet me 33-vjeçarin Joshua Schulte.

Gjyqi i Schulte ka nisur në një gjykatë federale në Manhattan, ku ai përballet me akuza, të cilat përfshijnë marrjen e informacionit të klasifikuar të qeverisë amerikane pa autorizim dhe kalimin e paligjshëm të këtyre të dhënave në WikiLeaks.

Gjyqi i parë, i cili u zhvillua në vitin 2020, përfundoi me jurinë të bllokuar mbi akuzat kryesore.

Përmes një deklarate, prokurori David Denton ka thënë se Schulte mori në vitin 2016 software të përdorur nga CIA për të synuar vendet e huaja.

Më pas ia dërgoi ato të dhëna WikiLeaks-it që i publikoi në vitin 2017.

WikiLeaks është bërë i njohur për publikimin e informacionit të klasifikuar amerikan mbi një sërë tema, duke përfshirë krimet e mundshme të luftës në SHBA.

Denton i ka quajtur veprimet e supozuara të Schulte si “aktin përfundimtar të tradhtisë” dhe se ishte i motivuar nga inati për menaxhmentin e CIA-s dhe punonjësit e tjerë në njësinë e tij.

Kurse Schulte ka thënë se CIA dhe FBI-ja e zgjodhën atë si kok turku për një rrjedhje të turpshme për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme me menaxhmentin.

Ai u largua nga CIA në vitin 2016.

“CIA-s iu desh të mbrohej, ata u përballën me presion të jashtëzakonshëm politik për të identifikuar zbuluesin”, ka thënë Schulte para trupës gjykuese.

Gjyqtari Jesse Furman do të mbikëqyrë gjyqin, i cili pritet të vazhdojë për rreth pesë javë dhe të përfshijë dëshmi nga oficerë të CIA-s.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore