Filmi “The Thin Red Line” nga regjisori Terrence Malick i bazuar në novelën me të njëjtën emër të shkrimtarit amerikan James Jones, është shtjellim filozofik i njeriut në raport me luftën. Pyetjet që ky film i shtron vetes janë të përjetshme, dhe tejkalojnë partikularitetet e kësaj apo asaj lufte.
Ky film luftën e trajton në rrënjën e natyrës së saj, dhe shtron dilemat më të mëdha mbi moralin njerëzor të përpirë në etjen për gjak, dhe shkatërrim.
Më poshtë gjeni të përkthyer se si e shihte këtë film një prej protagonistëve më të fuqishëm të filmit “The Thin Red Line”, Nick Nolte.
…
Pyetja që shtrohet është, a ka vend për dhembshuri në fushëbetejë? Kjo është pyetja e James Jones. Ai shkroi tregimin për përvojën e tij të luftës – përvojën e njerëzve që shkojnë në luftën pa pasur asnjë ide pse po shkojnë – zakonisht për shkak të indoktrinimit dhe arsyet idealiste të importuara.
Pastaj kuptojnë se kanë për të vdekur ose kanë për të vrarë njerëz dhe tmerrohen.
Ai ka thënë se përvoja më e madhe e tij në luftë ishte, tmerri në njërën anë, dhe në anën tjetër kur hëngri plumin dhe e dinte se do të vdiste. Frikë e tillë e kaploi krejtësisht, prej gishtave të këmbës e deri te fijet e flokëve – një frikë që ia zhveshi krejt kushtëzimet shoqërore e ushtarake, që ja përpiu personalitetin.
Kur e ke të qartë se po vdes, kjo frikë është i vetmi realitet. Në kuptimin më të vërtetë të fjalës, ti humbesh krejt. Në ato momente drithërime dhe tmerri, ti s’je më vetja – ty të humbet gjithçka, dhe gjithçka të zëvendësohet me një ASGJË të madhe. Dhe kjo asgjë e madhe është dhembshuria e papërballueshme e dashurisë, dashuria dhe dhimbja për bashkëluftëtarët e tu, për ata që kokat i kanë të mbështetur mbi supet tua.
James, me këtë film thotë se kur e ndjeni këtë, kur s’e keni më në posedim veten, atëherë e kupton se do të vdesësh për shokun. Dhe, thotë ai, kjo është ironia e çuditshme e kësaj ideje të sëmundur për të shkuar në luftë.
Kurrë më, thotë ai, s’kam mundur ta ndjejë atë dashuri. Që dashuria e prindit për fëminë i afrohet afër kësaj dashurie, por prindi gjithmonë mbahet pas identitetit të tij.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com