Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Parisi i Francës ku mori pjesë në Forumin e Paqes, ka udhëtuar këtë të diele për në Vjenë të Austrisë.
Sipas njoftimit të zyrës për media të Qeverisë, në kryeqendrën e Austrisë, Kurti do të marrë pjesë në edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.
“Me këtë rast, ai do të pranojë Çmimin Vjetor të Forumit Ekonomik ‘Partneri i Vitit 2023’, që do t’i ndahet Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe kontributin 15-vjeçar në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe do të jetë pjesëmarrës në panelin e diskutimit me titull ‘Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira’, nesër prej orës 14:05”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit dyditor, Kryeministri Kurti, po ashtu do të jetë mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”. Diskutim ky që do të mbahet të hënën, duke filluar nga ora 18:00.
Ndërkaq, të martën do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë.
Gjatë qëndrimit në Francë, Kurti në një panel diskutimi në margjinat e Forumit të Paqes, theksoi se Marrëveshja Bazë, e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt e më pastaj me 18 mars u konsiderua si një ujdi e mirë, meqë disa nga nenet e këtij akordi parashihnin njohjen e Kosovës nga Serbia në mënyrë të tërthortë ose de facto.
“Sapo të normalizojmë marrëdhëniet me njohjen de facto dhe de jure do të jetë më mirë për të gjithë. Po them de jure dhe de facto sepse për shembull Serbia e njeh Bosnjën de jure, por jo de fakto, sepse ka marrëdhënie të veçanta me Republikën Srpska, e cila përdor të drejtën e vetos për të minuar shtet ndërtimin demokratik të Bosnje e Hercegovinës. Dhe në rastin e Kosovës, Serbia na njeh de facto në kaq shumë aspekte, por jo de jure”, tha Kurti.
Po ashtu Kurti në margjinat e Forumit të Paqes në Paris është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, të cilit ia ka shprehur përkushtimin e shtetit që ai udhëheqë për anëtarësim në institucione euro-atlantike.
Përmes një postimi në platformën X, kryeministri Kurti, ka thënë se ka qenë kënaqësi që ka takuar O’Brien, për të cilin theksoi se e konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
“Diskutuam përparimin e shpejtë ekonomik dhe demokratik të Kosovës – i njohur gjerësisht nga organet ndërkombëtare – dhe unë përsërita përkushtimin tonë për anëtarësimin në Bashkim Evropian dhe NATO si objektivat tona kryesore strategjike”, shkroi ai.
Vuçiç takon O’Brien, diskutojnë për vazhdimin e dialogut në Bruksel
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë