Sport

Nga ish-ekipet, vetëm Inter s’e uron Ibrahimovic-in për përfundimin e karrierës


Zlatan Ibrahimovic e përfundoi karrierën futbollistike në mbrëmjen e kaluar, kur ekipi i tij, Milan-i luajti ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Hellas Verona-s.

Ibra – një futbollist me karakter fitues, i cili luajti në shumë klube të mëdha evropiane, nuk arriti t’i mbante lotët në momentin e fjalimit përshëndetës të tij – moment ky që preki shumë futbolldashës.

Të gjitha ekipet ku Ibra ka luajtur, kanë bërë të paktën një postim në faqet e tyre, duke i uruar gjitha të mirat 41-vjeçarit, por vetëm një nga ish-ekipet, Inter-i, nuk bëri të paktën as edhe një postim.

Pra, Barcelona, Juventus, Manchester United, Ajax, PSG, Malmo e uruan bomberin suedez, por një gjë të tillë nuk e bëri Inter-i.

Ky gjest nga ana e zikaltërve nuk dihet a u bë për shkak që Ibra së fundmi ishte pjesë e rivalëve të përbetuar të tyre.

Kujtojmë që Ibra luajti për tre sezone me fanellën e Inter-it, duke e ndihmuar skuadrën që ta fitonte titullin kampion tre herë dhe dy herë Superkupën e Italisë.

Ai në total kishte luajtur 117 ndeshje me Inter-in në të gjitha garat, prej të cilave kishte shënuar 66 gola dhe kishte dhuruar 30 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore