Lajme

New York-u mbetet qendra kryesore financiare në botë


New York-u ruajti pozicionin e tij si qendra kryesore financiare, ndërsa Londra konfirmoi vendin e dytë në listën globale, duke tejkaluar ngushtësisht Singaporin dhe Hong Kong-un.

New York-u është në krye të listës globale që nga shtatori 2018, kur kaloi Londrën për pozicionin kryesor, me 763 pikë, sipas një sondazhi që përfshin 121 qendra financiare dhe bazohet në 147 faktorë, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, Londra e zvogëloi pak diferencën pas New York-ut, duke arritur në 744 pikë, gjë që do të qetësojë disi frikën e konkurrencës pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Singapori aktualisht është vetëm dy pikë prapa Londrës dhe vetëm një pikë më mirë se Hong Kong-u, i cili zuri vendin e katërt, duke sinjalizuar një betejë gjithnjë e më intensive për vendin e dytë në listën globale, transmeton agjencia britanike.

Instituti Z/Yen me qendër në Londër dhe Instituti i Zhvillimit të Kinës përpilojnë një indeks të qendrave financiare globale çdo gjashtë muaj, bazuar në të dhënat e publikuara, ndër të tjera, nga Banka Botërore, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Kombet e Bashkuara.

“Qendrat financiare në SHBA performuan mirë, me pesë prej tyre që renditen ndër 10 më të mirat në botë, duke reflektuar fuqinë e ekonomisë amerikane”, përfundojnë autorët e studimit.

Ata gjithashtu shtojnë se New York-u ka ruajtur pozitën e tij udhëheqëse në listat e veçanta të kompanive të teknologjisë financiare, në të cilat Londra është gjithashtu e dyta, duke kaluar San Francisko-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore