Film

Netflix-i marrëveshje me Microsoft-in për abonimin e ri


Netflix-i, pasi pranoi kolapsin e parë të abonentëve që prej fillimit, ka ndërmarrë veprime.

Për të tërhequr përdorues të rinj kompania po përpiqet të mbetet konkurruese si në përmbajtje dhe në çmim.

Kështu, Netflix-i ka ardhur me një abonim të ri, ku kostoja mujore bie në këmbim të një çmimi të vogël: reklamimit.

Për këtë është folur gjatë për partnerin më të mirë të biznesit, me të cilin mund të ofrohej opsioni i ri i reklamave në platformë.

U fol për Google-in, si dhe Nbc Universal. Por zgjedhja është Microsoft-i.

Përmes një deklarate, kompania ka bërë me dije se ka zgjedhur Microsoft-in dhe teknologjinë e tij të shpërndarjes së reklamave për të prezantuar një “plan abonimi me çmim të ulët dhe të mbështetur nga reklamat”.

“Jemi në fillim dhe ka ende shumë punë për të bërë. Por qëllimi ynë afatgjatë është i qartë. Më shumë zgjedhje për konsumatorët dhe një përvojë më e mirë lineare televizive për reklamuesit”, ka shtuar Netflix-i.

Po ashtu është në bisedime me kompanitë më të rëndësishme të prodhimit të përmbajtjeve të tij për të rinegociuar marrëveshjet, në mënyrë që të mund të shfaqë filma dhe seriale televizive të ndërthurura me reklama.

Netflix-i nuk ka dashur ndonjëherë reklama në platformën e vet. Por situata është serioze.

Përveç 200 mijë abonentëve të humbur midis janarit dhe marsit, analistët presin një humbje të mëtejshme prej dy milionë në muajt në vijim.

Rezultati i parë ishte shkurtimi i 150 vendeve të punës.

Konsiderata më e rëndësishme është se ky model biznesi , i cili prej vitesh e bëri Netflix-in mbret të transmetimit, duhet të ndryshojë.

Konkurrenca është e lartë, bllokimet që kanë shtyrë miliona njerëz në mbarë botën para televizorit kanë marrë fund.

Tanimë, duhet diçka e re për të tërhequr përsëri abonentë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore