Kosova

Pa incidente përfundon protesta e serbëve kundër hapjes së urës së Ibrit


Protesta e serbëve në Veri

Në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident të raportuar ka përfunduar protesta komunitetit serb në Mitrovicë të Veriut.

Serbët në numër relativisht të vogël shprehën pakënaqësitë e tyre për siç po thonë ata “gjendjen e keqe të serbëve”.

Ata gjithashtu kundërshtuan hapjen eventuale të urës mbi lumin Ibër që e bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut për qarkullimin e automjeteve.

Në protestë e cila zgjati përafërsisht një orë u shpalosën pankarta me mbishkrime si “Nëse Kurti e hap urën, përgjegjës janë KFOR-i dhe QUINT-i” ose “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, ne po dëbohemi”.

Avokati serb, Nikolla Kabashiç në një fjalim rasti, siç raportojnë mediat serbe, ka potencuar se serbët nuk po luftojnë kundër popullit shqiptar, me të cilin kanë jetuar së bashku për 20 vjet, por kundër qeverisë së Albin Kurtit dhe Xhelal Sveçlës, të cilët “kanë për qëllim spastrim etnik”.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.


“Nëse Kurti e hap urën, përgjegjës janë KFOR-i dhe QUINT-i” – nis protesta e serbëve në Veri

Rreth orës 11:00 të mërkurën një numër relativisht i vogël i serbëve janë mbledhur në njërën nga sheshet e Mitrovicës së Veriut për të shprehur pakënaqësitë e tyre, për siç po thonë ata “gjendjen e keqe të serbëve”.

Protestuesit, siç raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, po mbajnë pankarta me mbishkrime si “Nëse Kurti e hap urën, përgjegjës janë KFOR-i dhe QUINT-i” ose “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, ne po dëbohemi”.

Në mesin e protestuesve janë parë edhe anëtarë të Listës Serbe.

Mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë protestës po e mirëmban Policia e Kosovës.

Ndërkohë të pranishëm në këtë protestë janë edhe pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it

Mediat në serbi raportuan të martën se protesta ka të bëjë edhe me pakënaqësinë e serbëve lidhur me mundësinë e hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Protesta e serbëve në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore