Ndryshe nga sa besohej më parë, Neandertalët mund të kenë qenë më afër specieve tona njerëzore parahistorike moderne pasi pikturat e shpellave të gjetura në Spanjë kanë vërtetuar se ata ushqenin dashuri për krijimet artistike.
Të paktën, kështu është bërë e ditur nga autorët e një raporti të ri shkencor të dielën e 8 gushtit.
Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se pigmenti okër i kuq i zbuluar në stalagmitet e Shpellave të Ardales, pranë Malaga-së në Spanjën jugore, janë krijuar nga Neandertalët afro 65 mijë vjet më parë, duke i bërë ata ndoshta artistët e parë në tokë.
Dhe se njerëzit modern nuk jetonin në këtë botë në kohën kur u bënë imazhet e shpellës.
Sipas studimit të botuar te Proceedings of the National Academy of Sciences. (PNAS), gjetjet e reja shtojnë dëshmitë në rritje se Neandertalët, prejardhja e të cilëve u zhduk afro 40 mijë vjet më parë, nuk ishin të afërmit e pa sofistikuar të Homo sapiens-it, siç ishin portretizuar prej kohësh.
Madje, studimi ka hedhur poshtë një sugjerim të mëparshëm se pigmentet ishin rezultat i një rrjedhje oksidi natyror më shumë sesa të bëra nga njeriu, duke zbuluar se ato u krijuan në shpella në periudha të ndryshme deri në 15 mijë dhe 20 mijë vjet larg.
Një nga autorët e studimit, Joao Zilhao, ka treguar se procedurat shkencore të ndjekura për të gjetur vjetërsinë e tyre treguan se okra ishte pështyrë nga Neandertalët mbi stalagmitet, ndoshta si pjesë e një rituali.
“Rëndësia është se ndryshon qëndrimin tonë ndaj Neandertalëve. Ata kanë qenë më afër njerëzve. Hulumtimet e fundit kanë treguar se ata i kanë pëlqyer objektet dhe tani ne mund të tregojmë se ata kanë pikturuar shpella ngjashëm si ne”, ka ravijëzuar ai.
Ndërkohë, pikturat e murit të bëra nga njerëzit modern parahistorikë, të tilla si ato të gjetura në shpellën Chauvet-Pont d’Arc të Francës, janë më shumë se 30 mijë vjet të vjetra.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com