Kosova

Në “Telegram” shpërndahen “taktika luftarake” se si të sulmohen automjetet e Policisë së Kosovës


Ilustrim

Në rrjetin social “Telegram”, i cili është burim kryesor i propagandës ruse, të hënën janë shpërndarë disa instruksione se si protestuesit serbë mund t’i neutralizojnë automjetet e blinduara të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Taktikat luftarake kundër automjeteve të blinduara Arquus Bastion që janë armë të Policisë së Kosovës (më saktësisht njësiteve elitar policore). Çka mendoni, cila është pika më e dobët që blinda franceze të paaftësohet?”, thuhet në pyetjen e shtruar në “Telegram”.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Tensionet janë më të larta në Zveçan, ku grupe të serbëve lokalë – mes tyre disa edhe me maska e kapele – po qëndrojnë grumbull para ndërtesës së komunës, raportojnë gazetarët në terren, ndërsa në Zubin-Potok e Leposaviq, situata është më e qetë.

Ajo që raportohet nga gazetarët në vendin e ngjarjes është se kordoni i pjesëtarëve të KFOR-it është vënë në afërsi të objektit, ndërsa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk shihen aty. Në Zubin Potok e Leposaviq raportohet për situatë më të qetë, edhe pse serbët lokalë po qëndrojnë afër ndërtesës së komunës.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore