Pajisje

Në rrjedhat e jetës së John McAfee


U gjend i vdekur brenda një qelie burgu të Barcelonës. Ishte njeriu pas emrit të softwar-ëve anti-virus, John McAfee.

Autoritetet vendase pretenduan se ishte vetëvrarë, pak orë pasi një gjykatë spanjolle miratoi ekstradimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Atje pritej të përballej me akuzat e evazionit fiskal mes viteve 2014 dhe 2018.

Por, kush ishte McAfee?

Më 1980-n, programuesi i kompjuterëve do të bëhej i njohur me themelimin e një kompanie software-ësh të quajtur McAfee Associates. Kompania arriti të vendoste emrin e saj në treg prej shitjeve të software-ëve komercial të sigurisë kompjuterike.

Disa vite më vonë, më 1994-n, themeluesi dha dorëheqjen. Ndërsa në vitin 2010, kompaninë e tij e bleu Intel-i për 7.7 miliardë dollarë.

McAfee u lind në mesin e viteve 1940 në Mbretërinë e Bashkuar. Kur ai ishte i ri, prindërit e tij u transferuan në Virginia.

Që në vitet e hershme të jetës së tij, i duhej të përballej me vështirësi, të cilat nisnin me të atin. Ishte topograf, por alkoolist. Dhe kur McAfee ishte vetëm një 15 vjeçar, i ati u vetëvra. Kjo ngjarje e rëndë në jetën e të riut McAfee do të shndërrohej në makthin e tij të çdo mëngjesi.

Në kolegj nisi të pine, por kishte edhe ambicien e një sipërmarrësi të ri të zgjuar. Kështu, çeli biznesin e tij të parë duke shitur revista derë më derë. Arriti të krijonte një pasuri të vogël me to.

Në fund të viteve ‘60, nisi të punonte edhe në një kompani që kodonte sistemet e kartave të shënimit ku mësoi bazat e hershme të informatikës.

Me informacionet që grumbulloi prej aty, arriti të punonte në kompaninë Missouri Pacific Railroad, të cilën e ndihmoi të përdorte një sistem kompjuterik në kalibrimin e orareve të trenave.

Aty filloi të merrte droga të rënda. Shumë ditë shkonte në punë pasi kishte marrë LSD. Mirëpo, një ditë ndodhi më e keqja. Atij ju shit një qese më një psikedelik të quajtur DMT.

Provoi pak nga kjo drogë dhe papritur përfundoi duke e marrë të gjithë qesen. Por, e keqja ndodhi. Ai u frikësua, vrapoi jashtë dhe u fsheh pas një koshi mbeturinash.

Në 1970-n, McAfee u zhvendos në Silicon Valley ku bënte punë të ndryshme nëpër kompani teknologjike. Përpos kësaj, edhe duke abuzuar me droga dhe alkool.

Një ditë ndryshe

Pika e kthesës ishte viti 1983. Duke punuar në kompaninë Omex, mes rutinës së përditshme të marrjes së drogës dhe tryezës që nuk i mungonte një shishe skoceze, në vetmi dhe i frikësuar, bindi veten të kërkonte ndihmë.

Në vitet 1980, McAfee punoi në Lockheed. Asokohe, kompjuterët ishin ende të rinj, por në vitin 1986, virusi i parë kompjuterik i goditi ata. Kështu, ai nisi të lexonte për këto programe që infiltronin kompjuterët dhe vendosi të hapte kompaninë e vet.

Këtu shënohet edhe ngritja e McAfee Associates. Kompani, deri në fund të viteve 1980, arrinte të korrte pesë milionë dollarë fitime në vit, duke bërë që disa nga kompanitë më të mëdha në botë të përdornin platformën e saj anti-virus.

Shpet, krijesa McAfee u bë e suksesshme, kryesisht edhe për shkak të një virusi kompjuterik të quajtur Michelangelo, i cili doli në skenë në vitin 1992.

Ai u vlerësua si një nga viruset më të këqija deri atëherë dhe pritej që të infektonte afro pesë milionë kompjuterë. Dhe platformat kompjuterike anti-virus asokohe nuk rezultonin një produkt që mund të blihej nga shumica e njerëzve. Michelangelo e ktheu përmbys situatën.

Kërkesa për to pësoi rritje pasi njerëzit donin të mbronin pajisjet e tyre. Dhe McAfee doli në pah duke u kthyer në një biznes miliona dollarësh.

Shkëputja nga kompania

McAfee dha dorëheqjen nga kompania në vitin 1994. Dhe dy vjet më vonë, ai shiti aksionet e tij të cilat i dhanë rreth 100 milionë dollarë. Ikja e tij nuk u reflektua mirë në ecurinë e kompanisë.

Nisi të jepte këshilla për startup-et e reja, të lektonte në Stanford Graduate School of Business dhe të punonte me projektet e veta, por më kot.

Me kolapsin ekonomik të 2008-s, raportet nxirrnin se pasuria e tij 100 milionë dollarëshe ishte tkurrur në katër milionë dollarë.

Ishte viti 2000, ai që do ta ndryshonte përsëri rrjedhën e McAfee. Shiti tokën dhe vendosi të transferohej në Belize ku donte të bëhej pjesë e botës së antibiotikëve.

Besonte se me ndihmën e mikrobiologut, Allison Adonizio, të krijonte një produkt që përdorte bimë për të luftuar sëmundjet. Kështu, krijoi kompaninë e quajtur Quorumex.

Mirëpo, atje gjërat u bënë lëmsh. Ai filloi të mendonte se vëzhgohej gjatë gjithë kohës.

Frekuentonte një sallon me emrin Lover’s Bar. Çdo ditë shkonte atje dhe shikonte njerëzit që hynin e dilnin. Ai u fiksua pas tyre në atë zonë të varfër të qytetit.

Në 2012-n, kur fqinji i tij, Gregory Faull, u qëllua për vdekje, McAfee u konsiderua një person në interes të autoriteteve. Dhe pasi u mor në pyetje nga qeveria e Belize-së, ai iku.

Guatemala ishte vendi në të cilin do të arrestohej. Kjo nën akuzat e hyrjes ilegale në vend. Gjatë këtij ndalimi, McAfee vuante nga një sërë problemesh shëndetësore të lidhura me zemrën. Prej andej u dëbua dhe u dërgua përsëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kthimi i tij ndezi një furi mediatike të interesit mbi atë se kush ishte ai dhe nëse ishte ‘i çmendur’.

Në vit6in 2013, McAfee ia vështirësoi jetën vetes me publikimin e një videoje të çuditshme që mbante titullin: “Si të ç’inatosni anti-virusin McAfee?”. Aty shfaqeshin vajza afër tij, drogë dhe armë, por që ishte në kontekst të parodisë.

Prej asaj kohe, ai mbajti largësi nga jeta publike ku shfaqej në mënyrë sporadike. Madje, në vitin 2013, mori makinën dhe u largua për të jetuar në Portland të Oregon-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore