Kosova

Partitë kryesore spanjolle kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës


Kuvendi i Spanjës

Partia ultra-nacionaliste spanjolle VOX, Partia Popullore (konservatore) dhe Partia Sociale e Galicisë, të martën, në seancën e Kuvendit të Spanjës, e kanë kundërshtuar nismën e partisë katalanase “Junts per Catalunya” me të cilën kërkohet njohja e Kosovës si shtet sovran.

Carlos Flores Juberias, nga partia VOX, ka kundërshtuar këtë nismë me argumentin se ka shumë arsye pse Spanja nuk duhet ta njohë Kosovën.

“Në kontekstin ndërkombëtar, gjysma e Kombeve të Bashkuara e ka njohur Kosovën, gjysma tjetër jo. Meqë ra fjala, a e dini sa vende të reja e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në 10 vjetët e fundit? Do t’i emërtoj Tonga, Antigua dhe Barbuda, Singapori, Surinami, Bangladeshi dhe Barbados. Sa prej tyre mund t’i gjeni në hartë?”, ka thënë Juberias.

Si një nga arsyet për mosnjohjen e Kosovës, Juberias përmendi të drejtën ndërkombëtare dhe kujtoi rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai theksoi se njohja e Kosovës do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Serbinë, e cila sipas tij është vend kyç për stabilitetin e Ballkanit dhe me të cilin Spanja ka shkëmbim tregtar që rritet nga viti në vit.

“Kosova nuk është as shtet plotësisht demokratik dhe as plotësisht sovran, sa i përket së parës, do të mjaftohem duke ju dhënë informacionin se që nga pavarësia e Kosovës e deri më sot, më shumë se 200 mijë serbë janë dashur të largohen nga ai territor dhe për ata që kanë mbetur, situata është e paqëndrueshme”, ka pretenduar ai.

Në anën tjetër, Obdulia Taboadela Alvarez nga Partia Socialiste e Galicisë, ka thënë se Spanja duhet të mbetet e vendosur në qëndrimin për të mos njohur e Kosovën.

“Pozicioni i Grupit të Socialistëve dhe i Qeverisë së Spanjës bazohet në të drejtën ndërkombëtare publike dhe parimin e integritetit territorial të shteteve, respektimin e sovranitetit të tyre. Për më tepër, siç e dini, ky qëndrim është në përputhje me qëndrimin e vendosur me rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Historia e Kosovës dhe e Ballkanit është mjaft e ndërlikuar për t’u përmbledhur në disa minuta”, ka thënë ajo.

Në Kuvendin e Spanjës nis debati për njohjen e Kosovës

Të martën në Kuvendin e Spanjës ka nisur debati për nismën e partisë katalanase “Junts per Catalunya” me të cilën kërkohet njohja e Kosovës si shtet sovran.

Eduard Pujol Bonell, nga partia në fjalë, ndërsa ka prezantuar para ligjvënësve spanjollë nismën që Spanja ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ka potencuar se duhet të tregohet pjekuri në këtë aspket.

“Ne propozojmë që Qeveria spanjolle të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Ne po kërkojmë nga ju të tregoni pjekuri dhe maturi në këtë çështje dhe të zbatoni bindjet tuaja demokratike”.

Spanja, në vlerësimin e tij, duhet ta njoh Kosovën, meqë ajo është shtet e legjitimuar dhe demokratik.

“Drejtësia nuk duhet të jetë një mjet pazari. Ku është Palestina? Palestina është primare e Kosova në rend të dytë? A po flasim për këtë drejtësi?”, ka thënë Bonell.

Në letrën që kjo parti i kishte dërguar Kuvendit të Spanjës, e të cilën e kishte siguruar Albanian Post, potencohej fakti se Spanja ka marrëdhënie indirekte me Kosovën, meqë ka pranuar pasaportat e shtetit të Kosovës pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

“Nga janari i vitit 2024, shteti spanjoll është i detyruar të njohë pasaportat e Kosovës. Bashkimi Evropian ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën që përfshin marrëdhënie të të gjitha llojeve me shtetet anëtare, duke u përkushtuar, ndër të tjera, për zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

Në vlerësimin e kësaj partia pesë shtetet anëtare mos-njohëse të BE-ës duhet ta njohin Kosovën që ta lejojnë atë të përparojë në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme.

“Për këtë arsye, por edhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të njohë menjëherë Republikën e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore