Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se nga 11 shtatori është hapur aplikimi për pagesat e lehonave dhe shtesat e fëmijëve, që do të bëhet nga Qeveria e Kosovës.
170 euro janë ndarë për lehonat (nënat e reja) dhe 20 euro në muaj për fëmijët e moshë 0-24 muaj, ndërsa aplikimi për lehonat dhe shtesat e fëmijëve do të bëhet përmes eKosova.
Po ashtu, nga janari i vitit 2022 gradualisht do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, që do të marrin vlera shtesë prej 10 euro në muaj.
Edhe, ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur detaje në lidhje me shtesat e fëmijëve dhe pagesa për lehonat në bazë të Ringjalljes Ekonomike.
Murati ka thënë se të drejtë në këtë pagesë do të kenë edhe lehonat e punësuara edhe ato që figurojnë si të papuna.
“Pagesat për lehona do të ofrohen për të gjitha gratë që janë mbi 18 vjeç, shtetase të Republikës së Kosovës e që kanë lindur fëmijë nga data 1 gusht e këtij viti e tutje. Pagesa bëhet për dy kategori”, deklaroi Murati.
Ai sqaroi se pagesa fillimisht do të bëhet për lehonat që figurojnë të papunësuara në 12 muajt e fundit.
“Pagesa bëhet për lehonat e papunësuara, ato që na ATK figurojnë si të papunësuara në 12 muajt e fundit para datës së lindjes për të cilat mbështetja do të jetë në vlerën e pagës minimale për 6 muaj”, tha ai.
Tutje Murati shtoi se, “Po ashtu për ato të punësuarat janë për 3 muaj, kjo është si shtesë, e asaj që tashmë e marrin. Lehonat e punësuara mund të aplikojnë për masën edhe nëse paguhen nga ajo që tashmë u takon sipas Ligjit”.
Shtesat për fëmijë do të ndahen për ata që janë të lindur në vitin 2020 dhe 2021.
“Nga data 1 shtator hapet aplikimi për shtesat e fëmijëve që kanë lindur nga 1 janari 2020 e tutje. Pra të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2020 dhe 2021”, tha Murati.
Ai tutje theksoi se, “nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do të fillojë aplikimi për ata që kanë lindur nga viti 2018 e tutje, e kështu me radhë deri në korrik i vitit 2023, deri në moshën 16 vjeçare”.
Numri i llogarisë bankare, të dhënat personale të nënave dhe të dhënat personale të fëmijës, janë ato që nevojiten për të marr shtesa të fëmijëve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com