Shqipëria

Në kërkim të personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste


Dy vite mbas marrëveshjes zyrtare së bashkëpunimit, ndërmjet qeverisë dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), komisioni ka përpiluar dhe ka qarkulluar sot një raport.

Në dokument bëhet një vlerësim i nevojave që ka ende vendi ynë mbi gjetjen e trupave të personave të zhdukur, me vlerësimet dhe rekomandimet e saj.

Raporti

Në raport thuhet se shifrat e zhdukjeve midis viteve 1944 dhe 1991 shkon në rreth 6 mijë persona nga regjimi komunist. Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo shifër rreth 5 mijë e 501 prej tyre janë të dënuar për arsye politike, të cilët u ekzekutuan gjatë kësaj periudhe.

Mbi Ligjin për Dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, raporti vë fjalën te lënia jashtë e familjarëve që nuk zotërojnë një dokument që vërteton statusin e tyre.

Mungesa e një Task Force, që nga mbyllja e saj në 2014, është një tjetër problematikë që ngrihet në raportin e komisionit.

Nga Task Force, raport-vlerësimi merr në konsideratë Institutin për Integrimin dhe Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve Politikë (IIPP) dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

Në mbyllje të raportit, Komisioni e sheh të arsyeshme se, duke qenë se Shqipëria nuk ka një të ngjashëm të Institutit të Personave të Zhdukur, roli i këtij institucioni mund të zëvendësohet nga IIPP ose Autoriteti.

Mbi të gjitha, vlerësohet fakti që parlamenti shqiptar i ka dhënë më shumë rëndësi Autoritetit për të koordinuar hetimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Problematikat e Institucionit të Autoritetit, sipas raportit, janë mungesa e stafit që kërkon mundësi trajnimi për sistematizimin, kategorizimin, hulumtimin dhe analizën e dokumenteve dhe të dhënave që disponon.

Rekomandimet i përkasin më shumë pikërisht institucionit të Autoritetit dhe përmbushjes së burimeve financiare dhe njerëzore nga ana e qeverisë, apo dhe me rritjen e besueshmërisë së vetë institucionit.

Çfarë është ICMP ?

ICMP-ja, e cila u themelua në vitin 1996, ka ndihmuar në fillesat e saj vendet e ish-Jugosllavisë që të identifikojnë më shumë se dy të tretën e 40 mijë njerëzve, të cilët u deklaruan të zhdukur gatë konflikteve të viteve 1990, si dhe siguroi për kohën prova tepër të rëndësishme për gjyqet e krimeve të luftës.

Nga 2014, ICMP është një organizatë e përhershme ndërkombëtare, e cila do të merrej me problemin e personave të zhdukur në të gjithë botën.

Vitet e fundit, ICMP-ja përdori ekspertizën e zhvilluar në Ballkan për të ndihmuar në kërkimin e personave të zhdukur në rang botëror.

Dosjet e IIPP-s (Instituti për Integrimin dhe Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve Politikë)

IIPP është një institucion i themeluar nga shteti shqiptar që vepron nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Funksioni i saj është që të hartojë politika dhe programe për integrimin e ish-të përndjekurve politikë nën regjimin komunist.

IIPP thuhet në raport se ka siguruar qasje në dosjet e 5 mijë e 501 personave që u ekzekutuan nën regjimin komunist pas procedurave gjyqësore dhe dënimeve.

Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit

Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (Autoriteti) është një institucion ligjor, i cili u krijua, pasi parlamenti shqiptar miratoi një ligj në maj 2015 për të hapur skedarët e policisë sekrete të epokës komuniste.

Autoriteti ka mbledhur dhe aktualisht po inventarizon më shumë se 13 milionë faqe që përmbajnë informacione rreth personave që ishin nën mbikëqyrje të fshehtë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore