Kosova

Ndalimi i festivalit “Mirdita, dobar dan”, MPJ: Vërteton se Serbia është kundër çdo lloj dialogu me Kosovën


MPJ

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pasi që Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, të enjten, ka urdhëruar ndalimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, duke thënë se ky vendim vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikate për media, nga MPJ-ja thanë thënë se ndalimi i festivalit me me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç-it, “është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar”.

“Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, [Aleksandër] Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviç”, theksohet në reagim.

Kjo, sipas ministrisë që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç funksionon, dhe se ky regjim “është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviç-it”.

“MPJD i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon”, potencohet.

Aty njoftohet se MPJD nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do të njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.

Reagim për këtë temë ka pasur edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Serbia, në vlerësimin e Kurtit, me ndalimin e Festivalit ka shfaqur edhe njëherë “armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”.

“Një festival kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, Dobar Dan’ u rrëmbye nga Vulin-i dhe MPB Daçiç-i, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve”, ka shkruar Kurti në platformën sociale, X.

Kurti ndër të tjera ka potencuar se anulimi i Festivalit ka ardhur pikërisht një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka refuzuar ta nënshkruaj Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

“Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga SHBA, Serbia mbylli të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE, ‘Mirëdita, Dobar Dan’”.

Ekipi nga Kosova e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, të enjten, është ndaluar nga Policia e Serbisë, 25 kilometra në hyrje të Beogradit, me arsyen se kanë urdhër që “mos të i lejojnë të vazhdojnë tutje”.

Pas rreth një ore zyrtarisht ekipi i përbërë nga gazetarë/kameramanë dhe stafi organizativ i festivalit janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë.

Hapja e festivalit ishte paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol.

Siç raportoi mediumi opozitar serb, Danas, rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstremiste, të enjten, në vigjilje të hapjes së Festivalit kanë organizuar një protestë kundër mbajtjes së këtij evenimenti kulturor.

Në protestë janë parë edhe simbole shoviniste serbe, ku ndër të tjera edhe një pankart me flamurin e Serbisë e vizatuar në hartën e Kosovës.

Sipas raportimeve ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore