Kosova

Ndahet nga jeta shkencëtari kosovar, Rifat Gjota


Për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore pas një sulmi në tru, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçe, shkencëtari dhe pedagogu i njohur kosovar, Rifat Gjota.

Burime të afërta e kanë konfirmuar lajmin për vdekjen e Gjotës, ndërsa kanë shtuar se ai i kishte mbyllur sytë përfundimisht rreth orës 13:00,  të hënën e 17 janarit.

Rifat Gjota ishte zbulues shqiptar, i lindur në Pejë më 5 maj 1939 në një familje të njohur zejtare.

Shkollën fillore dhe gjimnazin e kishte kryer në vendlindjen e vet, ndërsa në vitin 1965 kishte diplomuar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Shkupit.

Gjota po ashtu kishte kryer magjistraturën në vitin 1977 në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, kurse në vitin 1985 kishte doktoruar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës.

Ai ishte ndër profesorët më të vjetër në Fakultetin e inxhinierisë elektrike në Prishtinë.

Mbi njëzet vjet punoi në zbulimin e elektromotorit,, i cili kursente energjinë elektrike në përqindje të konsiderueshme, sikurse edhe sasinë e bakrit të nevojshëm për ndërtimin e tij.

Zbulimet e veta i kishte pantenuar në Amerikë me emrin “US Patent 4710661 – Winding arrangement of a stator and/or rotor of a three-phase generator or electromotor with improved performances”, kurse mënyra e ndërtimit të këtyre elektromotorëve u quajt “rifatizim”.

Tashmë i ndjeri, Gjota, në vitin 2005 kishte botuar edhe librin, të titulluar – “Makinat Elektrike Komplementare-Komplekse“.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore