Përballje

NBA/ Bucks, Suns dhe Celtics shënojnë fitore në ndeshjet e para të fazës play-off


Liga amerikane e basketbollit, NBA, ka hyrë në fazën më të nxehtë, ku janë duke u zhvilluar ndeshjet e para të fazës play-off.

Kampionët në fuqi të kësaj gare, Milwaukee Bucks, kanë marrë një fitore të rëndësishme, ku në ndeshjen e parë shënuan fitore ndaj Chicago Bulls me rezultat 93:86.

Ylli i Bucks, Giannis Antetokounmpo, ishte njeriu i mbrëmjes, i cili mbylli ndeshjen me 27 pikë e 16 kërcime.

Gjithashtu edhe te Bulls, lojë të mirë shfaqi malazezi, Nikola Vucevic, me 24 pikë e 17 kërcime.

Ndeshja e radhës mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet në orët e hershme të mëngjesit të datës 21 prill, me fillim nga ora 03:30 (me kohën tonë lokale).

Fazën play-off e nisën mirë edhe liderët e Konferencës Perëndimore, Phoenix Suns, të cilët mposhtën New Orleans Pelicans me rezultat 110:99.

Chris Paul me 30 pikë, shtatë kërcime e 10 asistime dhe Devin Booker me 25 pikë, katër kërcime e tetë asistime, ishin më të dalluarit te Suns.

Ndërsa te Pelicans lojë të mirë shfaqi McCollum, i cili realizoi 25 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime.

Ndeshja e radhës mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet më 20 prill në ora 04:00 të mëngjesit.

Takim tejet interesant u zhvillua edhe mes Boston Celtics dhe Brooklyn Nets, të cilin e fituan Celtics me vetëm një pikë epërsi, 115:114.

Kyrie Irving ishte më i dalluari te Nets, me 38 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime, derisa edhe Kevin Durant kontribuoi me 23 pikë.

Ndërsa te skuadra e Celtics u dalluan Jayson Tatum me 31 pikë, katër kërcime e tetë asistime dhe Jaylen Broën me 23 pikë, pesë kërcime e tre asistime.

Takimi i radhës mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet në orën 01:00 të mëngjesit të datës 21 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore