Përballje

NBA/ Antetokounmpo shënon 50 pikë në fitoren e Milwaukee Bucks, ngec Miami Heat


Tjetër spektakël u dhurua në ndeshjet e mbrëmshme të ligës amerikane të basketbollit, NBA.

Giannis Antetokounmpo ishte thjeshtë fantastik në fitoren e kampionëve të Milwaukee Bucks, të cilët mposhtën Indiana Pacers me rezultat 128:119.

Ylli i Bucks realizoi plotë 50 pikë në këtë ndeshje, të cilave ia shtoi edhe 14 kërcime e katër asistime.

Hera e fundit që greku shënoi 50 pikë, ishte në finalet e vitit të kaluar kundër Phoenix Suns, derisa kjo ishte hera e tretë në karrierën e tij që arrin këtë shifër të pikëve.

Ndërkaq më efikasi te Indiana Pacers ishte Buddy Hield, i cili shënoi 36 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Miami Heat është ndalur pas pesë fitoreve radhazi, duke u mposhtur në shtëpi nga Dallas Mavericks me rezultat 99:107.

Basketbollisti i Heat, Jimmy Butler, ishte më i dalluari i mbrëmjes, duke realizuar 29 pikë e 10 kërcime, por nuk arriti të shmangë humbjen për skuadrën e tij.

Ndërsa te Mavericks u dallua i përhershmi, Luka Doncic, i cili shënoi 21 pikë e 10 asistime.

Mirëpo, pavarësisht humbjes, Heat vazhdon të kryesojë tabelën e Konferencës Lindore, e ndjekur nga Chicago Bulls me nga 37 fitore e 21 humbje.

Ndërkohë, ekipi më në formë në NBA është Phoenix Suns, të cilët arritën fitoren e 17-të në 18 ndeshjet e fundit.

Suns këtë radhë mposhtën në derbi skuadrën e Los Angeles Clippers me rezultat 103:96.

Më i miri në këtë takim ishte Devin Booker i Suns që realizoi 26 pikë, i ndjekur pas nga Morris i Clippers me tre më pak dhe Bridges po ashtu i Suns që shënoi 19 sosh.

Suns kanë një bilanc të mrekullueshëm, të cilët i prijnë tabelës në Konferencën Perëndimore me 47 fitore e 10 humbje.

Në ndeshjen tjetër ishte radha që Boston Celtics të dhurojnë spektakël, të cilët triumfuan me 48 pikë epërsi ndaj Philadelphia 76ers, me rezultat 87:135.

Jayson Tatum me 28 pikë, 12 kërcime e gjashtë asistime dhe Jaylen Brown me 29 pikë e tetë kërcime, ishin më të dalluarit në këtë sfidë.

Ndërsa te vendasit e 76ers u dallua Joel Embiid me 19 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime.

Rezultatet tjera të mbrëmjes në NBA:

Atlanta Hawks 124 – 116 Cleveland Cavaliers

Minnesota Timberwolves 126 – 120 Charlotte Hornets

New Orleans Pelicans 109 – 121 Memphis Grizzlies

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore