Sport

Muriqi: Ngjarjet në FFK do të ishte mirë të mos ndodhnin, pasi kanë ndikuar keq edhe te lojtarët


Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, foli rreth situatës në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku kryetari Agim Ademi është në arrest shtëpiak.

Muriqi tha se futbollistët janë për ta përfaqësuar shtetin, ku shtoi se do të ishte mirë që të mos ndodhnin këso rastesh, pasi kjo reflekton keq të çdokush në federatë dhe te futbollistët, por ai tha se me një rezultat pozitiv do ta tejkalojnë këtë problem.

“Ne si futbollistë jemi këtu për ta përfaqësuar shtetin tonë, kështu që janë ngjarje që mirë do të ishte të mos ndodhin, normal që reflektojnë keq për çdo njëri në Federatë por edhe tek ne si futbollistë, por tash duhet të shohim përpara. S’kam ndonjë përgjigje konkrete, për të reflektuar ka reflektuar por me një rezultat pozitiv do të duhej ta tejkalojmë këtë”, ka thënë Muriqi.

Ai komentoi edhe për ndeshjen kundër Izraelit, të cilin e cilësoi si rezultat pozitiv, por tha se fitorja përballë Andorrës është shumë e rëndësishme.

“Ishte rezultat pozitiv në Tel Aviv, pasi kemi mundur të humbim, por edhe të fitonim. Por, për ta bërë më të vlefshme këtë pikë, duhet të fitojmë ndaj Andorrës dhe të tubojmë katër pikë në dy ndeshjet e para besoj se është mirë për neve”, tha Muriqi.

“Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati, pasi jemi përgatitur dhe luajmë po ashtu para tifozëve tanë. Pa e nënçmuar kundërshtarin, por çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i papranueshëm. Fitorja është obligative, sepse nëse duam të kualifikohemi duhet të marrim sa më shumë pikë”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore